Telegrafi

Loredana nominohet për çmimin “Best Hip-Hop Act” në festivalin e njohur gjerman, ‘1Live Krone’

Foto: Loredana/Instagram

Suksesi i shqiptarëve në mbarë botën është pasqyrim i faktit se sa talent ka në të gjitha trevat shqiptare.

Përveç emrave të suksesshëm internacionalë, kemi edhe këngëtarë të cilët kanë korrur sukses në shtete e perëndimit, siç është Gjermania.

Njëra ndër to është Loredana Zefi, e cila shënoi sukses me bashkëpunimin e saj me reperin Mozzik, për këngën “Bonnie and Clyde”, e cila u prit shumë mirë në Gjermani.

E duket se është kjo këngë, ajo e cila ka bërë artisten që të nominohet për një nga kategoritë e festivalit të njohur gjerman, 1Live Krone.

Loredana është nominuar në kategorinë “Best Hip Hop Act”, gjersa lajmin e bëri të ditur përmes një postimi të bërë në rrjetin social Instagram.

“Përshendetje njerëz. Përveç faktit që unë kam arritur deri këtu, unë ju kam borxh. Ndoshta ju nuk e shihni si mirënjohje dhe ndoshta ju mendoni se kjo është shumë e natyrshme për mua. Unë jam e vetëdijshme se muzika e mirë shpërblehet por mbështetja mega gjigante nuk është gjithmonë aty si ju që keni qenë me mua deri më sot, jam mirënjohëse për secilin prej jush, për të gjithë ata që qëndrojnë zgjuar deri vonë duke dëgjuar këngët e mija. Nuk më intereson kush e ka vendin e parë, unë vetëm përpiqem të jap më të mirën time. Shpresoj që të paktën në të ardhmen unë mund t’ju shpërblej me muzikë të mirë. Unë jam nominuar në ‘BEST HIP HOP ACT’”, ka shkruar këngëtarja shqiptare.

“1 Live Krone” është një festival i përvitshëm në Gjermani, që shpërblen artistët për punën e bërë gjatë vitit. /Telegrafi/