Trajneri i Real Madridit, Julen Lopetegui këmbëngul se shkarkimi nga klubi është gjëja e fundit në mendjen e tij, pas humbjes 2-1 të së shtunës ndaj Levantes.
Real Madridi u befasua nga Levante duke u mposhtur në shtëpi dhe kjo ishte humbja e tretë nga katër ndeshje, ku ka edhe një barazim.
Kjo formë e dobët ka bërë që të lëkundet karrigia e trajnerit Lopetegui, i cili pas ndeshjes ka thënë se nuk i shkon në mendje shkarkimi nga klubi.
“Tani për tani, kjo është gjëja e fundit në mendjen time”, ka thënë fillimisht Lopetegui pas ndeshjes.
“Ajo që dua është që djemtë të kthehen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të përgatiten mirë për ndeshjen tonë të ardhshme pas tri ditësh”.
“Futbolli varet nga golat dhe ne ndjehemi se kemi bërë gjithçka që duhej të bënim për të shënuar. Kishte shumë shanse për ta bërë këtë. Gjërat e çuditshme ndodhin, ky është futbolli”.
“Ne sulmuam shumë dhe mirë, por kjo është e gjitha që mund të bëjmë. Mund ta ndryshojmë dinamikën vetëm duke fituar ndeshje. Kemi pasur më shumë se 30 përpjekje”.
“Kam më shumë frymë se kurrë për të vazhduar, sepse ekipi ka lënë gjithçka në fushë. Herët ose vonë do të shkojmë përpara”, përfundoi spanjolli. /Telegrafi/