Site icon Telegrafi

Lope De Vega, Miguel de Cervantes dhe një shqiptar i frikshëm!

Personazhi shqiptar më i trajtuar në letërsinë spanjolle është dhe mbetet Skënderbeu, veçanërisht në letërsinë e periudhës së njohur si Shekulli i Artë (Siglo de Oro). Në teatrin spanjoll të periudhës së shekullit të artë limitet kronologjike të së cilës përfshijnë fillimin e shekullit XVI e deri në dekadën e tretë të shekullit XVII, figura e Skënderbeut del në disa vepra teatrale të cilat janë trajtuar nga autorë të ndryshëm. Pra, nga hero i veprës së Barletit, Skënderbeu në shekullin XVII në Spanjë shfaqet edhe si hero i skenës.

Gjithashtu, një personazh i njohur dhe disi i trajtuar kryesisht nga servantistët është edhe një shqiptar bashkëkohës i Servantesit (Miguel de Cervantes), dhe të cilin shkrimtari e ka njohur gjatë qëndrimit të tij si rob në Algjer. Robëria e Servantesit është e lidhur me pjesëmarrjen e tij në betejën e Lepantit të vitit 1571 ndërmjet flotës osmane dhe flotës së koalicionit të fuqive evropiane. Në këtë betejë, Servantesi humbet dorën e majtë. Pasi qëndron në Mesina të Italisë për të shëruar plagën e tij, në shtator 1575 niset nga Napoli për t’u kthyer në Spanjë së bashku me të vëllanë Rodrigo. Anija në të cilën lundronin dy vëllezërit kapet nga algjerianët dhe këtu zënë fill peripecitë e shkrimtarit ose më saktë odiseada e rikthimit në vendlindje.

Megjithatë në këtë shkrim flitet për një personazh tjetër shqiptar, të patrajtuar si i tillë në studimet letrare mbi këtë periudhë. Bëhet fjalë gjithashtu për një bashkëkohës të Servantesit, por që më shumë del në veprën e Lope de Vegas për vetë karakterin e tij historik, kapidan Murati i Madhi. Në literaturën spanjolle, kapidan Murati i Madhi del për herë të parë më 1599, në veprën e Lope De Vegas, “Festime në Denia”. Në këtë vepër autori rrëfen se në ato ditë të festimeve të dasmës së Filipit III:

“…ishte përhapë fjala në Denia se Murati/
në lundrimet e tij kishte ndër mend për të zbarkuar/
(që duke qenë hajdut deti është zakon i tij)/
në Ibiza me dymbëdhjetë galeota”.

Edhe në veprën “La Dorotea”, Lope de Vega e shquan Muratin në mesin e katër detarëve më të famshëm.

“Katër korsarë që në Algjer banojnë/
për të zezën time e humbje të madhe/
Xhaferri, Fuxheli, Mamisali dhe Murati”.

Më pas Lope de Vega te “Shtegtari në dheun e vet”, më 1604 e paraqet Murat shqiptarin si një emër aq i njohur dhe i frikshëm në brigjet spanjolle sa që atij mund t’i atribuoheshin me të vërtetë të gjitha llojet e piraterisë :

“… dhe duke u vërsulur në barkë dy shokët të veshur me rroba turke, rrëmbyen Elenën e re që duke e çuar tek bergantini stolisën krahët e Filandrit ; britmat e dy turqve të rremë që thërrisnin emrin e Murat Kapedanit i bënë të besojnë ata që i lanë të lirë në barkë se me të vërtetë ishte ai autori e grabitjes”.

Po kështu, në komedinë “Fitorja tjetër e markezit të Santa Kruzit”, rrëfen një grua robërinë e saj, duke ia atribuuar të njëjtit personazh:

“Më hodhën në disa ishuj/
të vetmuar e të rrahur nga deti/
me peshk e bukë të tharë/
jetë e shkurtër e robërim i gjatë/
Por kur aty u duk për t’u furnizuar me ujë Murat Kapedani/
e Muratit robinë u bëra”.

Më pas në një tjetër komedi, të cilën Lope de Vega e përmend për herë të parë në 1618, thekson në një mënyrë shumë të bukur imazhin që duket se kishte Murat Raisi në publikun spanjoll:

“Oh, dashtë Zoti, miku im Felician/
mos të daltë kjo grua xheloze/
se më shumë do të donte të të shihte përjetësisht/
në galerat e Murat Kapedanit”.

Në të njëjtën kohë në të cilën Lope në veprat e tij pasqyronte jehonën e detarit të famshëm shqiptar, e përmendte gjithashtu edhe Servantesi në dy prej komedive të tija, të botuara më 1615, por të cilat kanë qenë shkruar prej tij disa vite më përpara. Në komedinë “Sulltanja e madhe Zonja Catalina e Oviedos”, dalin në skenë Sulltani, eunuku i haremit të tij dhe Manu, i cili flet kështu, duke iu referuar protagonistes së veprës Dona Katalinës së Oviedos:

“Murat Kapedan, Zotëri i Lartë/
ty po ta prezantoj, dhe është kjo/
e para dhe më e mira/
që cilësimin e bukur/
me krenari mund ta mbajë”.

Në skenën e tretë, rrëfen i njëjti personazh se si Dona Catalina e Oviedos pat rënë në duart e Murat shqiptarit:

“Në një barkë prej dhjetë palë rremash/
prej Malage dhe në dimër/
u nis për të shkuar në Oran, një filani nga Oviedo…/
Por me që fatkeqësitë/ lundrojnë me të gjitha erërat/
një e tillë u ra aq e mbrapshtë/
sa që lirinë e humbën/
Murat Kapedani që nuk flen/
për të trazuar ëndrrat tona/
në atë udhëtim/ e mbërriti barkën e lehtë”.

Në komedinë me titull “Banjot e Algjerit”, e përmend sërish Servantesi duke rrëfyer një sulm të korsarëve algjerianë në brigjet spanjolle, rreth së cilës ngjarje dialogojnë ushtarët që mbërrijnë me vonesë në vendngjarje:

“Tjetri: Ç’duhet të bëjmë/
Kapedani: Le të shkojmë /të sillemi ndokund nëpër mal,/ dhe të zëmë pritë në guvën që aty afër ndodhet,/ për të parë se ç’do të bëjë korsari./
Dikush: Ç’ka ka për të bërë, përveçse të kthehet/ në Algjer, përderisa qëllimin e vet e ka përmbushur?
Kapedani: Kush thua vallë një bëmë kaq të madhe ta ketë kryer?
Tjetri: Në pastë qenë Murat Kapedani është vërtet i guximtar”.

Po ashtu ka edhe një fragment tjetër në një komedi të titulluar “Robërit e Algjerit”, të Lope de Vegasit ku thuhet:

“Erdhi një rob spanjoll/
që na tha se një mbasdreke/
fort e nderuara Princesha/
kryedukesha që ka qenë e Flandrës/
hyri në det për të parë/
një shpellë të cilën valët e rrahin/
e ku me ujë e ka zakon të furnizohet/
miku yt, Murat Kapedani”. /Përgatiti: Mapo.al/

Exit mobile version