Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) ka njoftuar se një rast i vetëm i variantit të virusit mpox, Clade 1b, është regjistruar në Londër.
Bëhet e ditur se personi i prekur nga Lija e majmunit kishte qenë me pushime në Afrikë, ndërsa tani ai po trajtohet në Spitalin Royal Free në Londër.
Fillimisht, ai kishte zhvilluar simptoma të ngjashme me gripin dhe më pas skuqje lëkure e cila i ishte përkeqësuar ditëve në vijim.
Më pak se 10 kontakte të drejtpërdrejta po gjurmohen pas regjistrimit të rastit, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Por, profesoresha Susan Hopkins, këshilltare kryesore mjekësore në UKHSA, tha se “rreziku për popullatën e Mbretërisë së Bashkuar mbetet i ulët”.
“Është falë mbikëqyrjes sonë që ne kemi mundur ta zbulojmë këtë virus”, tha Hopkins.
Ndryshe, kjo është hera e parë që Clade 1b zbulohet në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjermania raportoi rastin e saj të parë në fillim të këtij muaji.
Siç raportohet, të paktën 1000 vdekje nga virusi janë regjistruar në të gjithë Afrikën, gjë që bëri që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të shpallte përhapjen në rritje të sëmundjes një emergjencë shëndetësore globale për herë të dytë në dy vjet.
Mpox me variantet e tij zakonisht transmetohet nga kontakti i ngushtë fizik, kontakti me kafshë të infektuara ose transmetimi seksual.
Clade Ib mpox ka qarkulluar gjerësisht në Republikën Demokratike të Kongos muajt e fundit dhe ka pasur raste të raportuara edhe në Burundi, Ruanda, Ugandë, Kenia, Suedi dhe Indi. /Telegrafi/