Telegrafi

Londra angazhohet për përshpejtimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës

Britania e Madhe angazhohet për përshpejtimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, por tërheq vërejtjen se nuk bën të merren hapa të njëanshëm nga asnjëra palë. Pas kthimit nga Londra, presidenti Fatmir Sejdiu, tha se kanë marrë mbështetjen e plotë të Londrës zyrtare për statusin e Kosovës, por nuk saktësoi nëse vendimi do të merret menjëherë pas 10 dhjetorit, siç është thënë disa herë nga liderët kosovarë.

“Kërkesa dhe qëndrimi i përgjithshëm i përbashkët është që të shpejtohet procesi. S’mund të themi se ka një fokusim të veçantë të ndonjë date, por insistimi ynë është që të kryhet kjo pjesë e punës shumë shpejt dhe Britania mbetet e përkushtuar të kontribuojë maksimalisht që të gjitha proceset edhe në përgatitjet paraprake të jenë në favor të një përfundimi të shpejtë”, theksoi Sejdiu.

As lideri i ORA-s Veton Surroi nuk përmendi data, por theksoi se institucionet e Kosovës duhet ta përgatisnin vendin për pavarësi, paralelisht me procesin e zgjidhjes së statusit. Ai veçoi disa koncepte të Britanisë së Madhe rreth statusit, që janë të përbashkëta me qëndrimet e Kosovës.

“Së pari se nuk mund të ketë zvarritje, së dyti se nuk mund të krijohen as procese as alternativa të tjera. Kemi të bëjmë me faktin se ekziston paketa e Ahtisarit dhe ekzistojnë bisedimet e udhëhequra nga treshja, të cilat janë në vijim të procesit të Ahtsiarit. Kështu që e tëra kjo duhet të rrumbullakohen duke i pasur parasysh realitet që janë në tavolinë”, tha Surroi.

Ndërkaq, shefi i zyrës britanike në Prishtinë Devid Blunt tha se, Britania e Madhe e mbështetë fuqishëm përshpejtimin e zgjidhjes së statusit, por kërkon nga të gjitha palët që të përmbahen nga vendimet apo hapat e njëanshëm.

“Para se gjithash ne dëshirojmë që treshja të arrijë sukses. Në asnjë mënyrë ne nuk paragjykojmë përfundimin e procesit të Treshes, të cilën e mbështesim dhe dëshirojmë të ketë rezultat. Gjithashtu besojmë dhe është shumë e rëndësishme që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të përmbahen nga hapat unilateralë”, deklaron Blunt.

Duke folur për takimin e presidentit të Francës, Nicholas Sarkozy me presidentin rus, Valdimir Putin, në Moskë, dhe ku është thënë se është biseduar edhe për Kosovën, presidenti Sejdiu nuk komentoi shumë, por shfaqi besimin se presidenti francez Sarkozy do të kontribuojë që Rusia të jetë më racionale ndaj procesit të statusit të Kosovës. Ai përkujtoi se zgjidhja e statusit të Kosovës është projekt ndërkombëtar dhe se Rusia ka qenë aktive në këtë proces, si në Grupin e Kontaktit dhe tash në misionin e treshes ndërmjetësuese.

 

Ekipi i Unitetit do të mblidhet sot dhe pritet të shqyrtojë përgatitjet për takimin e drejtpërdrejtë me Beogradin që do të mbahet më 14 tetor në Bruksel.