Të hënën në territorin e Komunës së Malishevës janë shkaktuar disa zjarre të hapura, por falë angazhimit të ekipeve përgjegjëse dhe ndihmës nga komunat fqinje, zjarret janë lokalizuar, përderisa zjarret kanë shkaktuar rrezik edhe për shtëpitë e banimit.
Siç njoftohet, të gjitha ekipet e zjarrfikësve dhe ekipet emergjente komunale, përfshi edhe policinë, janë dalë në vendngjarje, përderisa në ndihmë kanë dalë edhe zjarrfikësit nga komunat e Drenasit, Rahovecit e Prizrenit.
Nënkryetari i komunës Hajdin Berisha ka falënderuar të gjithë zjarrfikësit e Drenasit, Rahovecit, Prizrenit dhe Malishevës, për ndihmën e dhënë për shuarjen e zjarreve.
Ai iu bëri thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes të shtuar dhe të mos ndezin zjarre në vende të pasigurta, pasi kjo rrezikon jetën e qytetarëve.