Telegrafi

Lojtarët, tifozët dhe legjendat e futbollit i luten Southgates të qëndrojë te Anglia

Lojtarët dhe tifozët iu lutën Gareth Southgates që të qëndronte si trajner i Anglisë.

Ndërsa u kthye në Britaninë e Madhe nga Katari mes pikëllimit për eliminim nga Kampionati Botëror, ai tha se do të “reflektojë dhe rishikojë” pozicionin e tij.

Por, kjo shkaktoi një mbështetje të madhe për Southgaten për të udhëhequr Tre Luanët në rrugëtimin e tyre drejt “Euro 2024” në Gjermani që fillon pas 18 muajve.

Mesfushori Declan Rice tha: “Unë me të vërtetë shpresoj që ai të qëndrojë”.

Por, ndërsa lojtarët dhe stafi i dëshpëruar përgatiteshin të fluturonin për në shtëpi, një rritje e madhe e mbështetjes po ndodhte për Southgate që të qëndrojë.

Mbrojtësi i Anglisë dhe Manchester United, Harry Maguire e përshëndeti trajnerin e Tre Luanëve si “të mahnitshëm”.

Ai tha: “Jam i sigurt se nëse do të pyesnit çdo lojtar në ekip, ata nuk do të ishin në gjendje të përzgjidhnin fjalët më të mira për të”.

Ish-portieri i Anglisë, Peter Shilton, beson se 52-vjeçar mund t’i japë fund pritjes 56-vjeçare të meshkujve për një trofe.

“Southgate duhet të qëndrojë si trajner i Anglisë. Ne kemi bazën e një ekipi që në fund do të fitojë një trofe të madh. E ardhmja duket e ndritur”, ka thënë ai.

Southgate – i cili ka udhëhequr Anglinë në një gjysmëfinale të Kupës së Botës dhe një finale të Euros – është nën kontratë deri në dhjetor 2024, por tani do të ketë bisedime me federatën angleze për të ardhmen e tij.

Paul Parker, një tjetër legjendë, mbrëmë iu bashkua korit të mbështetjes që Southgate të qëndrojë.

“Gareth Southgate do të kthehet, dhe ai do të dëshirojë të reflektojë për atë që ndodhi, por ai duhet të jetë atje për turneun e ardhshëm – ai duhet të jetë”, potencoi ai.

Ish-trajneri i Anglisë, Sam Allardyce, tha: “Do të habitesha nëse ai nuk do të vazhdojë të paktën për dy vitet e ardhshme. Nuk ka asgjë më të mirë si trajner sesa të shikosh një ekip dhe të thuash: ‘Kam një skuadër shumë, shumë të mirë dhe kam një ekip shumë të mirë në nivel ndërkombëtar’”.

Legjenda e Man United dhe Anglisë, Gary Neville dëshiron që ai të qëndrojë edhe pas përfundimit të kontratës së tij aktuale.

“Do të më pëlqente që Gareth të qëndronte edhe për dy vite të tjera. Do të doja që ai të qëndronte përtej kësaj, qoftë në fakt si trajner apo qoftë në një rol në federatën në të ardhmen”, deklaroi Neville

Tifozët gjithashtu u lutën që Southgate të qëndronte pas humbjes nga Franca, ndërsa gjyqtari brazilian Wilton Sampaio ishte nën kritika në rritje nga ta. /Telegrafi/