Telegrafi

Lojtarët më të shpejtë të Ligës Premier deri më tani këtë sezon, nuk ka vend për tre ‘vetëtimat’

Mbrojtësi i Tottenham Hotspur, Micky Van De Ven është statistikisht lojtari më i shpejtë në Ligën Premier këtë sezon, duke lënë pas emra të njohur për shpejtësinë e tyre.

Holandezi iu bashkua Tottenhamit nga Wolfsburg për rreth 45 milionë euro në verë dhe ai ka qenë një zbulim i vërtetë në veri të Londrës.

Van De Ven ishte gjithmonë i pranishëm gjatë ecurisë së pamposhtur prej 10 ndeshjesh të Spurs në fillim të sezonit, por mori një dëmtim të rëndë gjatë humbjes së tyre kaotike 4-1 ndaj Chelseat në nëntor.

Ai humbi më shumë se dy muaj aksion, por rikthimi i tij kundër Manchester United në janar është mirëpritur nga Spurs, me ritmin e tij të rikuperimit vendimtar për linjën mbrojtëse të Ange Postecoglou.

Në të dhënat e reja të publikuara nga Sky Sports, 22-vjeçari është cilësuar si lojtari më i shpejtë në Ligën Premier këtë sezon, pasi ka arritur shpejtësinë 37.38 km/h.

Anësori i Lutonit, Chiedozie Ogbene ishte i dyti më i shpejti këtë sezon, me ish-yllin e Rotherhamit që ka vrapuar me shpejtësi prej 36.93 km/h.

Shpejtësia e Ogbene u shfaq teksa ‘torturoi’ Dan Burn gjatë barazimit dramatik 4-4 me Newcastle United të shtunën.

Ylli i Wolves, Pedro Neto ishte i treti më i shpejtë, duke ardhur menjëherë pas Ogbene me një shpejtësi maksimale prej 36.86 km/h.

Sulmuesi portugez po shijon një sezon të mirë për skuadrën e Gary O’Neil dhe ka kontribuar me 10 asistime dhe dy gola në vetëm 14 paraqitje këtë sezon.

Maestro i mesfushës së Liverpoolit, Dominik Szoboszlai, ishte i radhës me 36.76 km/h, duke kaluar ngushtë Dara O’Shea në vendin e pestë.

Mbrojtësi i Burnleyt i bashkohet bashkatdhetarit Ogbene në top pesëshen me shpejtësinë e tij maksimale prej 36.73 km/h.

Anthony Gordon ishte i gjashti më i shpejtë me 36.68 km/h, ndërsa mesfushori i Everton, Amadou Onana përfundoi listën e top shtatë me 36.65 km/h.

Befasi është mos përfshirja e yjeve si Kyle Walker, Mohamed Salah dhe Bukayo Saka, të cilët njihen për shpejtësinë e tyre. /Telegrafi/

Lojtarët më të shpejtë në Ligën Premier këtë sezon (km/h)