Site icon Telegrafi

Lojtarët kërkojnë rikthimin e Van Gaal në krye të Përfaqësueses së Holandës

Getty Images

Kanë kaluar gati tre vite nga gjysmëfinalja ndaj Argjentinës në Botërorin e Brazilit, por për futbollin holandez duket sikur ka kaluar një jetë e tërë që nga ajo periudhë.

Shkarkimi i trajnerit Danny Blind vetëm pak orë nga miqësorja me Italinë, është vetëm kapitulli i fundit i një dështimi total. Që pas largimit të Louis Van Gaal, zhgënjimet kanë qenë të njëpasnjëshme për tifozët e përfaqësues portokalli, fillimisht me Guus Hiddink në stol dhe më pas me ish mbrojtësin e Ajaxit, Danny Blind.

Lexo po ashtu Formacioni i ëndrrave të Louis van Gaal: Nga Rivaldo te Luis Figo e Pep Guardiola, këta janë yjet e tij në një ekip (Foto)

UEFA rriti nga 16 në 24 numrin e skuadrave që morën pjesë në Evropianin Francë 2016-të, por pavarësisht kësaj Holanda dështoi të kualifikohej në këtë kompeticion ndërsa tashmë rrezikon të mbetet jashtë një tjetër evenimenti  madhor siç është Botërori Rusi 2018.  Ndaj Italisë në stol do të jetë trajneri i 21-vjeçarëve, Fred Grim, por ky i fundit është vetëm një trajner i përkohshëm sepse për ti besuar stolin e tulipanëve drejtuesit e federatës holandeze të futbollit janë vendosur në kërkim të një emri të njohur, transmeton SS.

Tre janë alternativat, rikthimi i  Louis Van Gaal por edhe emërimi i një prej dy ish lojtarëve të kësaj kombëtareje siç janë Frank De Boer dhe Clarence Seedorf.

Emri i parë në listë është padiskutim ai i Van Gaal i cili pas largimit nga Manchester United mendoi tërheqjen nga futbolli, por më pas bëri të ditur se thjeshtë do të qëndronte një vit pushim.

Me kombëtaren holandeze, Van Gaal ka arritur rezultate fantastike dhe një pjesë e mirë e lojtarëve kërkojnë rikthimin e tij. Mbetet për tu parë se çfarë do të vendosë 65-vjeçari nga Amsterdami por në rast të një jo-je nga Van Gaal  do të rriteshin shanset e njërit mes De Boer dhe Seedorf për të marrë drejtimin e Holandës.

Exit mobile version