Telegrafi

Lojtarët e Man Utd shpresojnë që Pochettino të arrijë si trajner i ri

Lojtarët e klubit anglez, Manchester United, shpresojnë që argjentinasi i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino, të arrijë si trajner i tyre i ri në Old Trafford.

Sipas Daily Mail, shumica e skuadrës së United do të preferonte Pochettinon, i cili ka shprehur gatishmërinë për t’u larguar nga Paris Saint-Germain dhe për t’u kthyer në futbollin anglez.

Ai udhëhoqi Tottenhamin drejt finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2019 pas një fitoreje të paharrueshme ndaj Ajaxit të Erik Ten Hag në gjysmëfinale.

Lexo po ashtu Pochettino u ka thënë miqve se po largohet nga PSG, Unitedi është vënë në alarm

United provoi nëse Pochettino ishte i disponueshëm pas shkarkimit të Ole Gunnar Solskjaer në nëntor, por iu tha se pronarët e PSG-së nga Katari nuk ishin të gatshëm ta lironin atë nga kontrata e tij në mes të sezonit.

Klubi vendosi Michael Carrick si menaxher kujdestar për tre ndeshje, pastaj Ralf Rangnick si të përkohshëm për pjesën tjetër të sezonit, për të lënë më shumë kohë për të bërë emërimin e duhur në verë.

Lexo po ashtu Pochettino në bisedime sekrete me Manchester United – në anën tjetër Rangnick preferon Erik ten Hag si trajner të ardhshëm

E ardhmja e Pochettinos në Parc des Princes është e pasigurt edhe pse ekipi i tij është në rrugën e duhur për të rimarrë titullin francez nga Lille.

49-vjeçari është nën presion për të dhënë sukses në Ligën e Kampionëve pas humbjes nga Manchester City në gjysmëfinalen e sezonit të kaluar dhe ai përballet me Real Madridin në 1/16-tën, me ndeshjen e parë në Paris të martën. /Telegrafi/