Barcelona tashmë e eliminuar nga Liga e Kampionëve, do të luajë si mysafirë i Betisit, ku do të synojë ruajtjen e vendin të parë, që i kërcënohet nga të dyja skuadrat madrilene, Atletico dhe Real.
Në konferencë për shtyp, trajneri i blaugranave, Luis Enrique e nisi me një koment rreth zërave se futbollistët e Betisit do të bëjnë gjithçka që titullin të mos e fitojë Barcelona.
“Është normale që lojtarë të një ekipi të kenë preferencat e tyre. Edhe futbollistët profesionistë mund të jenë tifozë, por kjo nuk më shqetëson aspak. Betisi nuk ka objektiva? Ndoshta ky fakt e bën një skuadër më të rrezikshme”.
Pyetjes rreth blerjes së mundshme të Saul Niguez nga Barcelona, Enrique iu përgjigj prerë.
“Nuk e kam zakon të flas për lojtarë që nuk kanë të bëjnë fare me aktualitetin e Barcelonës. Në galaksinë e futbollistëve ka shumë lojtarë që mund të na interesojnë”.
“Jam i kënaqur me rendimentin e të gjithë futbollistëve të mi, pa përjashtim. Do të ishte e padrejtë nëse do të veçoja Neymar. Jemi në këtë pozicion për meritë të të gjithëve. Të jesh futbollist i Barcelonës përbën lajm në çdo moment”, ka thënë Enrique. /Telegrafi/