"Lojërat Olimpike janë për botën dhe të gjitha kombet duhet të pranohen" – Pierre de Coubertin, themelues i Lojërave Olimpike moderne
Lojërat Olimpike konsiderohen si një medium për të përhapur mesazhin e paqes dhe bashkimit, duke festuar në frymën sportive. Organizatorët e Lojërave Olimpike “Londër 2012“ dhe shtetet që e kanë të sigurtë pjesëmarrjen në aktivitetin më të madh sportiv që do të mbahet më 27 korrik 2012, kanë filluar numërimin së prapthi deri në hapjen e këtyre Lojërave. Në të njëjtin kontinent ku do të zhvillohet kjo ngjarje e madhe, është një vend i vogël që po lufton për t’u bashkuar me familjen e madhe sportive. Dhe është një zonjushë e re, e veçantë, që bart ëndrrën sportive të kombit të saj.
Që nga viti 1991, kur sportistët e Kosovës braktisën garat sportive në ish-Jugosllavi, ata nuk kanë mundësi për të konkurruar në nivele ndërkombëtare. Lufta kundër Serbisë ishte ndalesa e parë për sportistët. Ajo përfundoi në vitin 1999, por që atëherë sportistët kosovarë kanë ngecur në një lojë të politikës.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) është themeluar zyrtarisht në vitin 2003, por ende nuk është anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe sportistët e Kosovës nuk kanë të drejtë të marrin pjesë Lojërat Olimpike verore ose dimërore. Për këtë arsye, KOK-ut nuk i është dhënë një kod për të përfaqësuar Kosovën në ngjarjet sportive ndërkombëtare. Për të arritur këtë, Kosova duhet të njihet nga Kombet e Bashkuara si shtet i pavarur dhe duhet përmbushur kërkesa të ndryshme sportive para se të fitojë statusin olimpik. Si parakusht për këtë është pranimi ndërkombëtar i pesë federatave olimpike të Kosovës, kurse aktualisht ka katër federatat olimpike të njohura ndërkombëtarisht.
Ndërsa përpjekjet për pranim ndërkombëtar vazhdojnë, sportistët nga Kosova nuk janë në gjendje të konkurrojnë në gara ndërkombëtare. Garat e vetme që atyre u ofrohen përfshijnë Kosovën dhe disa vende fqinje, ku nuk mund të ketë rritje të cilësisë së aktiviteteve sportive dhe karrierës së sportistëve të talentuar. Shumë vajza dhe djem të rinj në Kosovë janë të dënuar të kenë vetëm karrierë sportive lokale, që zhvillohet në kushte shumë të vështira dhe zakonisht përfundon shpejt. Ata mund të ushtrojnë për vite me radhë dhe të mos arrijnë të konkurrojnë në garat ndërkombëtare, ndërsa Kosova është duke përjetuar humbjen e disa brezave të sportistëve të talentuar. Izolimi i Kosovës ka bërë që klubet sportive të përpiqen për të dalë jashtë shtetit në mënyrë individuale dhe të zhvillojnë lojëra me kundërshtarët e huaj.
Klubi i xhudos “Ippon” nga qyteti i Pejës, arriti suksesin më të madh në këtë drejtim. Puna dhe profesionalizmi i treguar në klub bëri që Federata Ndërkombëtare e Xhudos të lejojë sportistët të marrin pjesë në garat e nivelit të lartë nën flamurin e federatës. Majlinda Kelmendi, një sportiste nga ky klub, konsiderohet si sportistja më e mirë në Kosovë dhe ajo është e vetmja në vend që po lufton për normën olimpike. Duke gjykuar mbi sukseset e saj, ajo pritet të arrijë këtë normë, por nuk dihet nëse ajo do të mund të përfaqësojë vendin e saj në LO Londër 2012.
Ajo e filloi karrierën e saj sportive ndërkombëtare si 8 vjeçare, në një garë në Sarajevë, ku fitoi medaljen e bronztë. Që atëherë ajo ka fituar shumë medalje në gara ndërkombëtare, duke përfshirë edhe një medalje të artë në Kampionatin Evropian në Jerevan, ku ajo nuk kishte zgjedhje tjetër përveç se të konkurrojnë nën flamurin shqiptar, një rast i mundësuar nga shtetësia e saj e dyfishtë. Ajo gjithashtu doli e artë në Kampionatin Botëror për junior në Paris, në vitin 2009, duke u bërë numri 1 i botës, në kategorinë deri 52 kilogram.
Tani në moshën 20 vjeçare, kjo xhudiste e re kosovare është duke luftuar kundër politikës ndërkombëtare, e cila është duke i zënë rrugën për të garuar në Lojërat Olimpike nën flamurin e vendit të saj.
Duke pasur parasysh se sporti është një fushë ku asnjë pjesëmarrës nuk brengoset për kombësinë, racën, fenë, ose pasurinë e tjetrit, dhe ku i vetmi shqetësim është loja e ndershme, situata aktuale është mjaft demoralizuese për Majlindën dhe të gjithë sportistët kosovar.
Angazhimi në aktivitetet sportive njihet si element i rëndësishëm për ndërtimin e karakterit, vetë-respektit, etikës dhe ndjenjës së komunitetit mes të rinjve. Dhe kjo është një arsye pse mundësia për t’u bashkuar në garat olimpike do t’u japë mundësi të reja sportistëve të rinj kosovar, derisa vendi përpiqet të ecë përpara, pas luftës shkatërruese të viteve 1990 dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë.
Është vetë simboli olimpik që në vetvete përfaqëson unitetin e botës. Flamuri olimpik, të cilin e njohim të gjithë, përbëhet nga pesë unaza të ndërthurura, që përfaqësojnë pesë kontinentet e banuara: Amerikën, Afrikën, Azinë, Australinë dhe Evropën. Pse pra Kosova nuk mund të jetë atje?
Lojërat Olimpike po ashtu nuk po i jetësojnë idealet e Coubertin:
“Gjëja më e rëndësishme në Lojërat Olimpike nuk është fitorja, por pjesëmarrja, ashtu siç gjëja më e rëndësishme në jetë nuk është triumfi, por lufta. Nuk është e rëndësishme të pushtojmë, por të luftojmë mirë”.
Dhe pikërisht këtu, Majlinda është një ndër më të mirat në botë!
Autorja është anëtare e ekipit të shkrimit të Think Young. (www.thinkyoung.eu – Think Tank që lobon për interesat e të rinjve evropianë). Ky artikull është publikuar në gjuhën angleze në Vita Europe www.vita.it