“Lojë martese” është dramë e autorit të njohur amerikan, Edward Albee. Në këtë shfaqje, me regji të Kaltërim Balajt, luajnë Vlora Nikçi dhe Armend Baloku.
“Kjo do të jetë ndër paraqitjet tona të veçanta, pasi shfaqim punën tonë të përbashkët që është bërë në Teatrin ‘Dodona’. Me përkushtimin miqve tanë, shfaqja do të jepet në ‘Producers Club Theaters’, ne Manhatan të New Yorkut”, ka thënë aktorja Vlora Nikçi, e shpërblyer me këtë shfaqje si aktorja më e mirë në Festivalin e Preshevës. “Vlen të theksohet organizimi fantastik që është duke u bërë, sepse projekti po mirëpritet dhe po mbështetet nga komuniteti shqiptaro-amerikan në SHBA”.
Mbështetës kryesor të kësaj shfaqjeje janë asamblisti shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj, i cili konsiderohet unifikuesi kryesor i komunitetit shqiptar në SHBA me “Albanian American Community Association”.
Kjo ngjarje është mbështetur edhe nga sponsorët, pa ndihmën e të cilëve shfaqja nuk mund të jepej, e për çka aktorët dhe Teatri “Dodona” u janë mirënjohës. Shfaqja u financua nga Link NY Realty, në krye me sipërmarrësin Valon Nikçi, si dhe nga Shoqata Rugova me seli në New York.
“Me padurim presim të performojmë para publikut në New York”, ka thënë Nikçi.
Për bashkatdhetarët tanë në SHBA, orari i shfaqjes është si më poshtë (sipas kohës në New York):
Më 18 dhjetor 2015: Në ora 18:00 dhe në ora 20:00.
Më 19 dhjetor 2015: Në ora 18:30 dhe në ora 20:00.
Lokacioni: Producers Club Theaters, 358 West 44th Street New York, NY 10036.