Brenda një dite Kosova ndryshon nga vendi më i shkretë në atë më përparimtarin në Evropë. Për të njëjtën ekonomi, institucione të ndryshme prezantojnë shifra për rritjen që dallojnë shumë nga njëra tjetra.
Madje vënë në dyshim vërtetësinë e të dhënave dhe projeksioneve që bëhen për zhvillimin e vendit nga Qeveria e Kosovës.
Derisa një institucion prezanton se ekonomia e Kosovës ka rritje afër 4 për qind, një tjetër publikon statistika se rritja ekonomik e këtij vendi nuk i ofrohet as 1 për qindëshit. Pastaj janë institucionet financiare ndërkombëtare që shpesh hedhin poshtë të gjitha vlerësimet dhe parashikimet e ekonomistëve shtetëror të Kosovës.
Së fundmi, Banka Botërore ka përgënjeshtruar të dhënat e prezantuara ditë më parë nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, se vitin e kaluar kishte një rritje ekonomike prej 2.7 për qind.
Agim Demukaj, ekonomist i BB-së, duke u thirrur në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tha se rritja ekonomike për vitin e kaluar ishte vetëm 1 për qind. “Shifra u publikua para një jave, në mos gaboj, apo para 10 ditësh dhe ka qenë paksa shokuese edhe për ne, sepse prisnim që të ishte pak më e lartë. Kemi pritur të ishte mbi 2 për qind”, ka thënë Demukaj.
Në raportin e Agjencisë së Statistikave thuhet se me vlerësimin e tremujorit të katërt, sipas metodologjisë ASK-ja jep një vlerësim paraprak për vitin 2014 i cili mbështetur në shumën e tremujorëve pati një rritje prej 0.9 për qind krahasuar me vitin 2013.
“Vlerësimet e tremujorëve të vitit 2014 janë të përkohshme dhe do të rishikohen në bazë të të dhënave vjetore. BPV vjetore sipas qasjes së prodhimit dhe shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të periudhës së njëjtë të vitit paraprak, do të publikohen në Nëntor të vitit 2015, vlerësimet do të bëhen duke i përdor të dhënat të reja (rezultatet nga regjistrimi i bujqësisë), dhe të dhëna vjetore administrative dhe statistikore”, thuhet në raportin e ASK-së.
Të dhënat finale të këtij institucioni, i cili është kritikuar vazhdimisht për vonesë të publikimit të tyre, merren për bazë nga shumë institucione.
Por, ato dhe të dhënat e bankës botërore i konteston institucioni tjetër financiar ndërkombëtarë, Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Sipas statistikave të publikuara nga FMN, rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2014 ishte 2.7 për qind.
FMN nuk pajtohet as me parashikimet e qeverisë së Kosovës për rritjen e paraparë për vitin 2015, 4.1 për qind.
Sipas këtij institucioni, Kosova nuk do të ketë rritje më të lartë se 3.3 për qind gjatë këtij viti. Afërsisht njëjtë mendon edhe BB.
Në Kosovë, rritja ekonomike përgjatë periudhës 2015-2017, bazuar në të dhënat e Qeverisë së Kosovës pritet të jetë rreth 4.3 për qind, në mesatare, e cila kryesisht pritet të mbështetet nga ngritja e konsumit si rezultat i rritjes së dërgesave nga diaspora, eksportit dhe investimeve.
Njohësit e ekonomisë thonë se gjithmonë Qeveria e Kosovës ka fryrë të dhënat sa i përket parashikimeve për rritje ekonomike, por matjet gjithmonë kanë treguar se zhvillimi ekonomik ka qenë më i ulët.
Ngjashëm vlerësohet edhe për vitin e kaluar kur sipas Bankës Botërore, ndikim negativ në rritjen ekonomike ka pasur ndërprerja për një kohë e prodhimit të energjisë dhe importi i saj, si rezultat i eksplodimit në termocentralin “Kosova A”.
Drejtori i Institutit për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST”, Lumir Abdixhiku, më shumë u jep kredibilitet numrave të prezantuar nga organizatat e huaja, të cilat, sipas tij në fund të fundit edhe kanë ngritur kapacitetet lokale në Kosovë për matje të tillë.
“Gjithsesi, mosstandardizimi i këtyre numrave tregon edhe sa pak rëndësi u japim projeksioneve e matjeve, burime kryesore të secilës politikë ekonomike”, thotë Abdixhiku.
Ai habitet se si bëhen projeksionet dhe politikat ekonomike pa shifra të besueshme. “Sinqerisht nuk arrij të kuptojë se si bëhen politikat ekonomike pa bazë në matje të tilla”, thotë Abdixhiku. /GazetaFjala/Telegrafi/