Site icon Telegrafi

Loja me seanca

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, deputeti Adem Mikullovci, ka ftuar për sot seancën e radhës së legjislativit, por ftesës së tij për pjesëmarrje nuk do t’i përgjigjen deputetët e koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma). Gjasat janë që edhe kjo seancë të dështojë në mungesë të kuorumit të nevojshëm.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar për “Zërin” se kryesuesi i seancës konstituive deputeti Adem Mikullovci është duke bërë gabime, pasi më shumë është duke e ndjekur politikën e “Vetëvendosjes” sesa të unifikimit të spektrit politik.

“Ne e kemi bërë të qartë se pa takime konsultative, pa takime të të gjithë spektrit politik dhe grupeve parlamentare nuk do të marrim pjesë në seancë”, deklaron Lekaj.

Në anën tjetër Shkodran Hoti, nga  lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë për gazetën “Zëri” se koalicioni PAN po i kontribuon bllokadës institucionale.

“Koalicioni PAN e kanë konfirmuar mospjesëmarrjen dhe rrjedhimisht janë ata që i kontribuojnë bllokadës institucionale”, u shpreh Hoti.

Sipas tij, zhbllokimi apo bllokimi i situatës nuk varet nga lëvizja “Vetëvendosje” po prej koalicionit PAN, që është duke e bojkotuar seancën. Ai ka konfirmuar se “Vetëvendosja” do të marrë pjesë në të gjitha seancat e rregullta që thirren.

Edhe deputetët e koalicionit LAA (LDK-AKR-Alternativa) do të marrin pjesë në seancë. Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka konfirmuar për “Zërin” se as nesër nuk pritet të ndodhë konstituimi i Kuvendit.

“Nuk ka shenja për ndonjë marrëveshje e as nuk ka shenja për ndonjë kompromis mes partive. Kjo do të jetë një seance ku do të konfirmohet botërisht para qytetarëve të Kosovës që në fokus të bllokimit të institucioneve janë PAN-i dhe vetëm PAN-i”, tha Avdyli.

Sipas tij, koalicioni PAN nuk po e shfrytëzon të drejtën e tij për të propozuar një kandidat për kryeparlamentar, një emër të pranueshëm për të gjitha partitë, por ata po e konfirmojnë edhe një herë interesin e individëve të caktuar brenda partisë së tyre.

Ai mendon se PAN-i me këta individë dhe me përkrahjen e tyre të plotë janë duke e bllokuar situatën politike në Kosovë, por njëkohësisht po tregojnë që ata janë vetëm një fatkeqësi për shtetin tonë.

Ndërsa analistët politikë vlerësojnë se deputetët e koalicionit PAN nuk do të marrin pjesë në seancë pa i siguruar votat e nevojshme të deputetëve.

“Koalicioni PAN nuk shkon në Kuvend pa i siguruar në radhë të parë votat”, thotë analisti Blerim Burjani.

Ndryshe, koalicioni PAN po synon që t’i ketë 61 vota e më tepër si për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ashtu edhe për ta formuar Qeverinë e re. Por deri më tash ky koalicion nuk ka dëshmuar se ka numër të mjaftueshëm votash.

Sipas Kushtetutës “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Në këtë rast, Partisë Demokratike të Kosovës i takon ta propozojë kandidatin për të parin e Kuvendit të Kosovës. /Zeri/

Exit mobile version