Site icon Telegrafi

Loja me mjedrat

Entuziazmi me të cilin iu kthyen bujqësisë nuk është më te kultivuesit e mjedrës në Kosovë. Produkti më fitimprurës të cilit iu përkushtuan dhjetëra mijëra kosovarë viteve të fundit nuk po ua shpaguan mundin.

Me djersën e tyre thonë se po luajnë pikat grumbulluese.

Nga afro 2 euro sa shitej me shumicë një kilogram mjedër, tani pikat grumbulluese nuk po i blejnë me çmim më të lartë se 1.40 euro, shkruan Gazeta Fjala.

Ky çmim po duket tejet u ulët për një kultivues të mjedrës në Podujevë. “Çmimi i mjedrës për momentin është 1.4 euro… mirëpo pikat grumbullues janë ka luajnë me fermer dhe po i shtyjnë ata që ta humbin durimin”, ka thënë ai duke mos dashur të identifikohet.

Nga statistikat që ka Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, por edhe organizata të tjera, viteve të fundit rritja e sipërfaqeve të mbjella me mjedër ka qenë e jashtëzakonshme.

“Para diku 3-4 viteve kishim vetëm rreth 30 apo 40 hektar. Sivjet kemi rreth 1000 hektar me mjedra në prodhimtari aktive në të gjithë Kosovën. Për më tepër tregu është i sigurt për këta 1000 hektar por edhe për sipërfaqe të tjera që mund dhe pritet të kultivohen”, ka thënë për medie ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi.

Gazeta Fjala ka kontaktuar edhe me zyrtarë të dy pikave grumbulluese ndaj të cilëve po ankohen fermerët.

Mjedra nga 2 euro në 1.40 euro

Drejtues të kompanisë APC (Agroprodukt Commerce) me seli në fshatin Peran i kanë thënë gazetës se për momentin një kilogram të mjedrave nga fermerët e marrin me çmimin prej 1.50 euro.

Drejtuesit e kësaj kompanie thanë se çmimi të cilin e kanë tash, shkon në bazë të kërkesave të tregut të jashtëm. Sipas tyre çmimi i mjedrës ka rënë në të gjithë botën.

“Çmimi shkon në bazë të tregut të jashtëm. Fermerët nuk po e dinë se edhe në vendet e tjera ka ndryshuar kjo vlerë”, kanë thënë në këtë kompani.

Ndërkohë që çmimin e mëparshëm kjo kompani e ka pasur 1.60 euro si dhe 1.75 euro.

E pika tjetër grumbulluese e mjedrës “Eurofruti” fermerëve u blen 1 euro e 40 cent kilogramin e mjedrës.

Pronari i kësaj kompanie, Bejtush Gashi, kontaktuar nga Gazeta Fjala, ka thënë se pavarësisht çmimit, fermerët ende janë të interesuar që ti sheshin mjedrat e tyre me këtë çmim, pavarësisht se ata insistojnë që ti sheshin ato me çmimin prej 2 eurove.

“Në Evropë janë çmimet më të ulëta. Polonia e ka 1 euro çmimin. Çmimi që ne e mbajmë sot është më i larti në rajon”, ka thënë Gashi për Gazetën Fjala.

Ai thotë se vetëm gjatë natës së mbrëmshme kjo kompani i ka blerë nga prodhuesit mbi 18 ton hyrje të freskëta të mjedrave.

Por, nëse vazhdon ky çmim, kultivuesit e mjedrës thonë se do të organizohen dhe të gjejnë alternativa që në forma tjera ta eksportojnë produktin e tyre me çmime më të larta në tregun Evropian.

“Organizohuni disi e eksportoni në Gjermani, në ndonjë firmë se është tepër keqardhje që disa matrapaz të na e humbin mundin. Në gjermani një kilogram në markete kushton 20 euro”, shkruan në një faqe ku flitet për mjedrat në Facebook, fermeri Besnik Bllaca.

Ata fajësojnë njëri tjetrin se nuk po mobilizohen që ti bojkotojnë pikat ekzistuese të grumbullimit derisa nuk e përmirësojnë çmimin.

“Kultivues të nderuar, ne i kemi fajet vet. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë me ni fjalë e jo ta tradhtojmë njëri tjetrin për 5 cent. Duhet të jau japim nga 2 euro për kilogram. Ta humbim një vit e jo krejt jetën për me punu për pisa”, shkruan Fasti Potera, një tjetër kultivues i pakënaqur.

Veliu: Mos luani me djersën e fermerëve

Ndërkohë që edhe kryetari i Komunës së Podujevës, AgimVeliu, ditë më parë u ka bërë thirrje grumbulluesve të mjedrës në këtë Komunë që të mos luajnë me mundin dhe djersën e kultivuesve të vyeshëm llapjanë, duke ulur përtokë çmimin e mjedrës.

“Pas një numri të madh të ankesave, të cilat ditët e fundit kanë ardhur në adresën e Kryetarit të Podujevës nga kultivuesit e mjedrës për lojën me çmimin e këtij prodhimi, kryetari Veliu u bën apel pikave të grumbullimit të mjedrës që mos të luajnë me çmimin e mjedrës, ngase kjo kulturë është shndërruar në elementin kryesor të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit të qytetarëve të Komunës së Podujevës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.

“Në rast se pikat e grumbullimit nuk ofrojnë kushte më të mira për kultivuesit llapjanë, ne do të kërkojmë forma dhe mundësi tjera për plasimin në treg të mjedrës së llapit me trajtimin dhe çmimin e merituar”, ka thënë Veliu./Gazeta Fjala/Telegrafi/

Exit mobile version