Arrestimi dhe poshtërimi i tre policëve shqiptarë të Republikës së Kosovës është një ngjarje shumë e rëndë.
Forcat speciale serbe “Kobra”, jo vetëm që kanë hyrë dhunshëm në tokën e shenjtë të Kosovës, si të ishin në një oborr të shtëpisë së tyre aty ku ëndërrojnë të rikthehen! Arrogantë dhe të vetësigurt në pandëshkueshmërinë e tyre, specialët serbë kishin pikësynim të mbillnin frikë dhe të rrëfenin publikisht se ishin të gatshëm të riktheheshin në Kosovë si padronët e saj të dikurshëm! Pamja e policëve shqiptarë të Kosovës ishte pak të thuhet e dhimbshme.
Të keqarmatosur dhe aspak të përshtatshëm për detyrat e vështira kufitare, me një shtet inatçor, militarist dhe agresiv si Serbia. Është e habitshme heshtja e gjatë e KFOR-it për këtë fakt të rëndë! Sepse, dy gjëra janë super të qarta: E para, forcat speciale serbe “Kobra” varen nga presidenti, shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe dhe nga ministri i Mbrojtjes së Qeverisë serbe. Pra, provokimi i tyre poshtërues nuk është një aksident apo një neurozë e disa superpolicëve, me shpërthime hormonale. Ishte shumë më shumë! Ishte zbatimi i një urdhri nga lart, në Beograd, për të trembur shqiptarët e Kosovës, për t’u kujtuar atyre ëndrrën e keqe të viteve të mëparshme.
Beogradi shpreson akoma se kryeministri Kurti apo ndonjë segment i nervozuar shqiptar, do të mund të reagojë dhe ta kthejë në konflikt frontal këtë episod të rëndë. Por, përtej mburrjeve folklorike, me çifteli, raki apo dhjamosje të nervit atdhedashës, duket se shqiptarët e kanë fjetur mendjen se i mbron NATO apo KFOR-i dhe janë të papërgatitur të ballafaqohen me situata luftarake.
Dhe, kjo është e rëndë, por e vërtetë dhe dukshëm serbët janë disa hapa para nesh në këtë drejtim. Kjo duhet pranuar dhe duhet reaguar fort, duke investuar në sigurinë tonë kombëtare, në Kosovë dhe në Shqipëri, pavarësisht mbrojtjes globale që na japin ndërkombëtarët. E dyta, arrestimi, rrëmbimi dhe sulmi ndaj Policisë shqiptare në Republikën e Kosovës, është një test që qeveria e Serbisë i bën Bashkësisë Ndërkombëtare.
Serbët llogarisin se munden ende të arsyetojnë për publikun e huaj se për çdo gjë që rrjedh pas aktit të kryeministrit të Kosovës, në komunat e veriut të Kosovës, fajtor mbetet gjithmonë pala shqiptare. Porse loja mbetet e hapur. Do të fitojë kush ka më shumë vetëpërmbajtje dhe jo kush ka më shumë të drejtë. Veprimi nevrotik i “kobrave” serbe, në mozaikun e madh të ngjarjeve, gjithsesi shkon në favorin e shqiptarëve, nëse shqiptarët e lënë topin në fushën e KFORI-t.