Blerja e 51 autobusëve të rinj në Komunën e Prishtinës ka dal të jetë ‘mollë sherri’ në mes të këtij institucioni dhe nivelit qendror të Kosovës.
Komuna e Prishtinës, që drejtohet nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, kohë më parë ka hapur tenderin për blerjen e 51 autobusëve të rinj me anë të se cilëve do ta zbuste kaosin në trafikun e kryeqytetit.
E që këta autobusë të qarkullojnë nëpër rrugët e Prishtinës, duhet të merren rreth 10 milionë euro kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Por marrja e kësaj kredie nuk mund të bëhet pa u dhënë drita e gjelbër në Kuvendin e Kosovës nga ana e deputetëve dhe nënshkrimit të kontratës nga ministria e Financave që drejtohet nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka thënë për Gazetën Fjala se për marrjen e kësaj kredie duhet të miratohet Marrëveshja për kredi nga BERZH-a me dy të tretat nga Kuvendi i Kosovës pra ku duhen edhe votat e opozitës.
Për autobusët duhet edhe vota e opozitës
E janë katër seanca që janë zhvilluar në vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës në të cilat nuk ka marrë pjesë opozita, duke lënë peng kështu edhe miratimin e marrëveshjes për marrjen e kredisë 10 milionëshe nga BERZH-i që do t’i hynte në punë komunës së Prishtinës.
“Marrëveshje për kredi nga BERZH-a duhet të miratohet me dy të tretat nga Kuvendi i Kosovës pra ku duhen edhe votat e opozitës’, ka thënë Shahini.
Por pavarësisht kësaj Shahini thekson se me 16 shtator të vitit të kaluar nga Komuna dhe Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban”, që ta autorizojë drejtorin e ndërmarrjes për nënshkrimin e kredisë.
“Deri më tani Ministria e ka pranuar vetëm një autorizim për drejtorin e kësaj Kompanie i cili është lëshuar nga Bordi i Aksionareve dhe nuk ka pranuar dëshmi për një autorizim të tillë të lëshuar nga Komuna e Prishtinës, ka thënë ai.
“Gjithashtu, gjatë kohës së planifikimit të buxhetit 2016 me vlerësimet për 2017 dhe 2018, Komuna nuk e ka përfshirë një zë buxhetor i cili do të shërbente në
rast të dështimit të ri-pagesës së kredisë dhe as nuk ka kaluar në asamblenë Komunale për miratim si dhe nuk është miratuar as edhe tarifa e biletave, dhe as zotimi nga Komuna e Prishtinës se do të garantoj kredinë e ndërmarrjes së saj”, ka shpjeguar zëdhënësi në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini.
Komuna në pritje të nënshkrimit
Për këto ngecje Komuna e Prishtinës fajtor e bënë Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave për vonesën e nënshkrimit për të dhënë garancinonin e sovranitetit.
Zëdhënësja e kësaj komune, Miranda Mullafazliu ka thënë për Gazetën Fjala ka thënë se Komuna e Prishtinës është në pritje të nënshkrimit të gradacionit, për çfarë sipas komunës nuk ka pasur asnjë pengesë, dhe se tani ka filluar procesi i tenderimit ndërkombëtar për blerjen e 51 autobusëve
Mullafazliu ka vërë të ditur se komuna e Prishtinës ka përfunduar të gjitha proceset dhe se raporti tashmë i është dërguar BERZH-it.
“….tani që kanë përfunduar te gjitha procedurat, prej tetorit 2015, blerja e autobusëve varet kryekëput nga nënshkrimi i Ministrit. Komuna e Prishtinës ka marrë ftesë nga Ministri i Ekonomisë dhe Financave pas takimit të tij me drejtoreshën e BERZH-it në Londër për të sqaruar për telashet që qenkan para nënshkrimit të këtij garancioni të sovranitetit”, ka thënë Mullafazliu.
Ndërkohë që Ministria e Financave ka shpjeguar se Ministri Hoti ka ftuar kryetarin e Prishtinës në takim për të mundësuar zhbllokimin e proceseve dhe për ta njoftuar se procedurat e prokurimit kanë avancuar përkundër faktit se kredia nuk është nënshkruar ende.
“Prandaj nuk është bllokuar aspak nga Ministria e Financave por neglizhenca është te Komuna e Prishtinës”, ka thënë Shahini për Gazetën Fjala.
Ndërkohë që duhen 90 deri në 120 ditë prej momentit të nënshkrimit të garancionit të Ministrit deri të ardhja e autobusëve t trafikut urban në Prishtinë./Gazeta Fjala/Telegrafi/