Site icon Telegrafi

Loja e përbashkët si burim energjie

Në fund të fundit, pushimet janë pikërisht për këtë: të largohesh nga gjithçka. Edhe ne të rriturit gjatë këtyre ditëve të veçanta largohemi disi nga zakonet tona të përditshme, zgjohemi më vonë dhe hamë në orare të ndryshme dhe për fëmijët është e drejtë që të jetë kështu.

T’u japësh fëmijëve pak liri më shumë gjatë pushimeve nuk ka pasoja negative – shprehen psikologët. Fëmijët e kuptojnë më së miri që disa sjellje lejohen në situata të caktuara dhe dinë të përshtaten. Ambientet e reja janë stimuluese për fëmijët. Ne thjesht duhet t’i kushtojmë më tepër kohë eksplorimit të ambientit bashkë me ta, t’u kushtojmë më tepër vëmendje, por edhe duke stimuluar kreativitetin.Nuk ka një vend të përcaktuar për të kaluar pushimet. Pushime do të thotë gjithmonë diçka e re. Ajo që ka vërtet rëndësi është qetësia familjare, aftësia për t’u përshtatur, pa stresin e ndryshimeve përballë situatave të reja që paraqiten. Për ta gjithçka kthehet në një aventurë, periudhë për të eksperimentuar nën vëzhgimin e sigurt të prindërve.

Ndonëse „motori“ i shëtitësve të vegjël ngjanë se po ecën pa ndalim, prapë se prapë duhet të keni parasysh të kujdeseni për pushime të shkurtra, të cilat shërbejnë për të rifituar forcat. Disponimin e mirë e garantojnë edhe mundësitë e pushimit në ndonjë vend malor, skijimi, patinazhi, etj.

Loja e përbashkët në çdo moshë paraqet një burim mësimi të përbashkët. Parakusht për krijimin e lojës, në formën e saj të plotëkuptimtë, paraqet edhe ambienti i sigurt dhe i njohur, atraktiviteti i lojës si dhe koha e lirë. Kështu loja bëhet spontane dhe motivon të dalin nga vetvetja.

Pushimet janë edhe një mundësi për t’u rritur. Fëmijët duan të jenë në qendër të vëmendjes dhe të ndihen të rëndësishëm, kjo është periudha më e mirë që të marrin përgjegjësi.
/Telegrafi/
 

Exit mobile version