Kosova më 17 shkurt të këtij viti feston 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, ndërsa ditë më parë është lansuar edhe logoja zyrtare për këtë përvjetor.
Përzgjedhja e kësaj logoje është bërë nga Këshilli Organizativ që është nën patronatin e presidentit të vendit, Hashim Thaçit.
Rreth simbolikës së kësaj logoje u spekulua shumë. Dikujt i dukej si diell, të tjerëve si shqiponje apo krahë të ndarë shqiponje, shpinë për shpinë, sikur simbolikë e dy shteteve që ia ruajnë shpinën njëri-tjetrit etj, ndërsa disa të tjerëve nuk i dukej fare që kishte ndonjë simbolikë të rrugëtimit që na solli deri te ky jubile.
E siç duket dy ideatorët e kësaj logoje Arbër Racaj dhe Egzon Cakaj, duket se nuk e kanë pasur të vështirën të bëjnë hartimin e saj, pasi që po del të jetë e kopjuar nga një agjension turistik në Gjermani.
“Schauinsland reisen” është emri i agjensionit i cili ka të njëjtën logo, e që nga dy ideatorët Racaj e Cakaj është prezantuar si logo zyrtare për 10 vjetorin e shtetit të Kosovës.
Lidhur me këtë, Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ ka thënë për Telegrafin se ngjashmëritë e pjesshme besojnë se janë rastësore dhe nuk kanë asnjë lidhje të qëllimshme me atë logo apo edhe me logo të tjera.
“Ka shumë logo në botë që mund të kenë ngjashmëri më njëra-tjetrën, por kjo në asnjë mënyrë nuk e zbeh domethënien e tyre. Kjo logo është përzgjedhur, pasi përputhet me shumë elemente simbolike të përvjetorit të 10 të pavarësisë. Ajo i posedon ngjyrat zyrtare, që janë ngjyra e kaltër, ngjyra e artë dhe e bardha, të cilat i përkasin edhe flamurit tonë shtetëror. Forma e logos, me dy duar të hapura dhe dhjetë gishta, simbolizon ditëlindjen e dhjetë.
Pjesë e saj janë gjithashtu edhe elemente të hartës së Kosovës, ku përreth saj me gjashtë vija janë përfshirë në mënyrë simbolike edhe gjashtë grupimet etnike më të mëdha që jetojnë në Kosovë, derisa dy vijat vertikale në mes të logos nënkuptojnë skaje të hartës sonë. Për më tepër, logoja e 10 vjetorit, nëse shohim mes gishtave, ka edhe formën e fishekzjarrëve, prandaj ka shumë elemente dalluese mes tyre, përkundër ngjashmërisë së duarve të hapura”, ka thënë Behramaj.
Presidenca së bashku me anëtar të qeverisë kanë vendosur që të ketë 10 ditë festë, nga data 8 deri më 18 shkurt.
Ndryshe, edhe në rrjetet sociale kanë shpërthyer reagime të shumta lidhur me kopjimin e logos për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Njëri ndër reagimet e shumta është e dizajnerit Agi Haxhimurati, i cili thotë se kjo logo do të duhej të tërhiqet direkt, të kërkohej falje publike për këtë gafë dhe të hapej gara publike për dizajnimin e kësaj logoje. /Telegrafi/