Interi nuk po kalon çastet më të mira të historisë së saj, me ekipin që është përfshirë nga një krizë rezultatesh dhe ndërrime trajnerësh, por logoja e klubit mbetet më e dashura për klubet tjera.
Germat e kryqëzuara të dizenjuara nga piktori Muggiani në vitin 1908 dhe me ngjyrë të artë, po kopjohen gjithnjë e më shumë.
Sigurisht nga ekipe amatore dhe jo shumë të njohura.
Fillimisht ishte Chambly, skuadër franceze e kategorisë së tretë, që i është dashur të ndryshojë logon e ngjashme me atë të Interit, pikërisht pas kërkesës së klubit zikaltër.
Por tashmë, një tjetër skuadër ka vendosur të përdorë të njëjtin stil si ai i Interit për të realizuar logon e vet.
Bëhet fjalë për FC Martigues, që luan aktualisht në “Championnat National”.
Vetëm pak ditë më parë është prezantuar edhe simboli i ri i këtij klubi francez, me një ngjashmëri drastike me atë të skuadrës zikaltër të Milanos, ku ndryshojnë vetëm ngjyrat dhe mungon germa “I” (Internazionale).
Filozofia e klubit amator francez është “Më shumë sesa një klub, një pasion”. Edhe kjo duket një kopje e asaj të Barcelonës “Më shumë sesa një klub/ Mes que un club”.
Një tjetër stemë e ngjashme me atë të Interit është ajo e New York City, skuadër e kampionatit amerikan, por të paktën në këtë logo vihen re qartazi disa ndryshime.