Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës Dr. Petrit Loci, është deklaruar rreth gjendjes me Covid 19 në Komunën e Pejës, në një kohë kur shifrat e rasteve pozitive në Kosovë po shënojnë rritje të shpejtë.
Loci thotë se rritja e kurbës, me shpejtësi po vërehet edhe në Komunën e Pejës, mirëpo siç duket, bazuar në statistika dhe rezultate me shifra, rastet po kalojnë lehtë, me trajtim ambulantorë, terapi shtëpiake dhe qasje mjekësore të një gjendjeje gripoze, meqë shumica dërmuese e tyre kohëzagjtjen e shqetësimeve e kanë prej 3 deri në 5 ditë.
“Po, po flas për rastet që trajtohen tek ne në QKMF. Trajtohet si gjendje gripoze, menaxhohet me trajtim ambulantorë apo terapi shtëpiake. Simptomat e të prekurve që paraqiten tek ne janë të lehta, ose shumë të lehta, mirëpo ne shërbimet i ofrojmë 24 orë. Nuk mendoj se ka vend tani për tani për panik, përpos qe ne mund ta prishim situatën vet, duke mos respektuar normat personale të mbrotjes që janë cekur dhe poashtu duke mos u vaksinuar.”-tha Loci në ‘RADIO 1’.
Tutje drejtori Loci, shton se dyshon që infektime ka shumë më shumë se që paraqiten zyrtarisht, meqë shumica po e kalojnë pa u testuar.
“Dyshoj se kemi një situatë shumë më të ngarkuar me të infektuar, por të cilët po e kalojnë virusin në këmbë, pa u testuar. Kjo tregon se bëhet fjalë për variant më të lehtë por njëkohësisht e rrit tepër rrezikun e infektimeve të reja. Andaj apeloj që kushdo që ka simptoma të testohet dhe të fillon trajtimin bashkë me izolimin në mënyrë që ta bllokojmë kurbën”-tha Loci.
Ndryshe në nivel vendi në 24 orë, nga Covid 19 janë shënuar 2 vdekje, 175 raste pozitive dhe 105 persona janë shëruar.