Site icon Telegrafi

Loci paralajmëron rritje të numrit të infektimeve me COVID-19 në Pejë

Në Komunë e Pejës ditëve të fundit janë rishfaqur rastet me coronavirus.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë, Petrit Loci ka konfirmuar për RTV Dukagjinin se gjatë ditës së djeshme janë shtuar edhe shtatë raste.

“Besojmë se ky numër nuk do të ndalet me kaq, pasi ka një numër të testimeve që janë bërë dhe situata mund të ndryshojë për keq sa i përket shifrave”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Loci thotë se gjendja shëndetësore e të prekurve në përgjithësi është e mirë me disa përjashtime të vogla.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë thotë se rikthimi i virusit në Pejë u bë nga një person që rezultoi pozitiv disa ditë më parë.

“Po bëhen hulumtime pasi të gjitha infektimet tjera janë kontakte të personit në fjalë dhe rrjeti i infektimeve mund të zgjerohet”.

Loci thotë se ka qenë e pritshme që lirimi i masave dhe relaksimi i tejskajshëm i qytetarëve të sjellin raste të reja me COVID-19./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version