Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës Petrit Loci, ka tërhequr vërejtjen për gastronomët dhe pronarët e kafiterive të Pejës, që veprimtarinë e tyre ta ushtrojnë duke ruajtur distancën e paraparë të tavolinave.
Në të kundërtën Loci që është edhe drejtues i Autorizuar i Kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, për Shtabin komunal Emergjent, thotë se inspektorati dhe policia do të veprojnë.
“Situata është e rënduar në Pejë. Krahas problemeve shëndetësore në sistem, ne kemi dukurinë e mosrespektimit të distancës së tavolinave nëpër lokale. Jam për tu punuar dhe po punohet dhe është lejuar. Por jemi në një kohë kur secili rrezikojmë të jemi bartës real të COVID 19. Andaj gastronomët dhe pronarët e kafiterive të cilët ne po i mirëkuptojmë, tani duhet që të kenë mendjen, të ruajnë distancën në mes tavolinave së paku nga 1 metër e gjysmë deri në dy metra. E pakuptueshme mbetet pse nuk ndodhë kjo tani, kur jemi duke vepruar në verë dhe ka hapësira të mjaftueshme të hapura. Komuna nuk po merret me ta nëse paskan shkelur pak në hapësirë publike vetëm e vetëm që të krijohet distanca. Pas krejt kësaj nëse ata vazhdojnë të stërmbushin tavolina si për pazar, ne jemi aty dhe do të gjobiten”, tha Loci.
Loci tutje shtoi se referuar nga simptomat Peja ka numër shumë më të madh të të prekurve me COVID-19, se sa që rezulton në shifra zyrtare që vijnë nga IKSHPK./Njëshi/