Site icon Telegrafi

Loci: E ndjera nga Peja kishte edhe sëmundje tjera, familjarët e saj me COVID-19 janë në trajtim shtëpiak

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën  e Pejës, Petrit Loci ka thënë se edhe familjarët e 73 vjeçares tashmë të ndjerë janë të prekur nga COVID-19 por ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Loci për RTV Dukagjinin thotë se pacientja që ka ndërruar jetë ka qenë e moshës së tretë dhe se ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.

“Në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ndërruar jetë pacientja nga Peja e cila ishte e shtrirë në repartin e Infektives që nga dita e parë e konfirmimit të saj me COVID-19 deri në momentin kur ka ndërruar jetë…Edhe mosha edhe sëmundjet tjera kanë ndikuar që pacientja në fjalë të mos mund t’i mbijetojë infeksionit me COVID-19”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës Petrit Loci thotë se pacientja nga fshati Llugagji ishte e vetmja nga kjo komunë që ishte e shtrirë në Klinikën Infektive.

“Pesë pacientët tjera vazhdojnë të jenë në trajtim shtëpiak. Njëri është nga lagjja Daradania, ndërsa tjerat familjarë të viktimës nga fshati Llugagji”.

Loci thotë se varrimi i së ndjerës do të bëhet në kushte specifike dhe për ceremoninë do të përkujdeset edhe Instituti i Shëndetit Publik./Telegrafi/

Exit mobile version