Telegrafi

Lobimi rus, Gjykata e Tiranës pushon çështjen ndaj Lulzim Bashës

Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë çështjen ndaj Lulzim Bashës lidhur me lobimin rus. Të pranishëm në seancën e sotme ishin dy avokatët e Bashës, Eduard Halimi dhe Ivi Kaso.

Eduart Halimi tha se ky ishte një vendim i drejtë.

“Vendimi i Gjykatës ishte një vendim drejtësie, u provua se ishte një akuza e stisur dhe PD nuk ishte fare pjesë e kësaj dosje dhe vepra penale nuk ekzistojnë dhe faktet nuk ekzistojnë. Ne jemi avokatët dhe mund të themi se u rrëzuan të gjitha gjuetitë e shtrigave që janë mbajtur në territorin e prokurorisë për më shumë se 2 vite. Fakti nuk ekziston”, u shpreh Halimi.

Për mediat ka folur edhe ish-Skeretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i cili tha se e gjithë çështja ishte e montuar politikisht.

“Gjykata ka pushuar çështjen, pasi fakti nuk ekziston. Por është shumë interesante për të kuptuar se si veprojnë institucionet kur janë të frustruara nga politika. Prokuroria është bërë një institucion i çorganizuar. U kuptua që ishte një çështje politike, por gjithmonë edhe pse ka presione sërish ka sërish njerëz që zbatojnë ligjin”, u shpreh Ristani. /lapsi.al/