Përfaqësuesit e lartë politikë të Kosovës edhe këtë vit po përpiqen që në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të promovojnë shtetin e Kosovës dhe të lobojnë apo vënë kontakte me vende që nuk e njohin ende Kosovën si shtet të pavarur.
Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe rrjedhimisht aktivitetet diplomatike në Nju Jork i shtrinë në aspektin diplomatik të zhvillimit të takimeve në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli po qëndrojnë në Nju Jork, ku edhe kanë zhvilluar disa takime me përfaqësues të vendeve të ndryshme apo edhe ata të organizatave e mekanizmave ndërkombëtarë.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Nju Jork pritet të trajtojë një varg krizash në botë, duke nisur nga ngrohja e planetit, pasiguritë ekonomike dhe konfliktet që kërcënojnë përshkallëzim të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve të Lindjes së Mesme.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ministri në largim i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, tha se delegacioni i Kosovës pritet të zhvillojë takime të shumta me zyrtarë të shteteve të ndryshme evropiane dhe aziatike.
“Kam takime të ndryshme bilaterale me shumë përfaqësues të shteteve të Afrikës, ato aziatike, shtete të Evropës dhe kontinentit të Amerikës së Jugut, po ka edhe takime multilaterale. Më datën 25 shtator, kemi takim me të gjithë ministrat e rajonit, me ministrin e Turqisë, Moldavisë e të Rumanisë. Pason edhe një takim tjetër i nivelit të lartë me zyrtarët amerikanë”, tha Pacolli.
Ai tha se në vazhdën e takimeve, fokus i veçantë do t’i kushtohet çështjes së lobimit dhe njohjeve të reja për Kosovën.
“Është edhe një seri e takimeve me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën ende, si ato evropiane, por edhe të tjera”, u shpreh Pacolli.
Ministri në largim, Pacolli tha se në vigjilje të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka takuar në një takim joformal edhe ministrin e Punëve të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.
Pacolli tha se është e rëndësishme që pala serbe ta kuptojë realitetin dhe të mos bëjë më, siç tha ai, provokime të llojeve të ndryshme në raport me Kosovën.
“Jam takuar dhe ne do të takohemi prapë. E shoh se ekziston një atmosferë, po më duket më miqësore, për të zhvilluar aktivitet drejt lirimit të rrugës për të rifilluar dialogu me Serbinë. Ne presim që të ketë avancime në marrëdhëniet mes dy fqinjëve”, tha Pacolli.
Takimi ndërmjet ministrave të jashtëm të Kosovës dhe Serbisë vjen pas përplasjeve rreth lobimit të diplomacisë serbe kundër njohjeve të reja të Kosovës.
Ministria e Jashtme e Kosovës, kohë më parë, e kishte akuzuar Qeverinë e Serbisë se kishte ofruar ryshfet në këmbim të tërheqjes së njohjes së Kosovës, pas një shkrimi në një portal të Republikës së Afrikës Qendrore, që përfshinte ministren e Jashtme, Sylvie Baipo Temon, dhe një “Këshilltar të Posaçëm të ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq”.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar që Qeveria serbe ka instaluar korrupsionin dhe ryshfetin si mjete diplomatike për të pranuar dokumente të falsifikuara që nuk shërbejnë asgjë, por vetëm për përshkallëzimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Aty thuhej se Kosova është përballur në tre vitet e fundit, me një fushatë të paprecedent diplomatike dhe propagandistike nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera, për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.
Në shkrimin e portalit „Corbeau News Centrafrique” të datës 25 gusht, thuhet se një „këshilltar i posaçëm i ministrit të Jashtëm serb“, u takua me ministren e Jashtme të Afrikës Qendrore, Sylvie Baipo Temon, në Paris gjatë muajit korrik të vitit 2019, dhe i ka ofruar asaj “200 milion franga të Afrikës Qëndrore (rreth 350.000 euro) në këmbim të notës së tërheqjes së pavarësisë së Kosovës.
Ky “këshilltar” që dyshohet se ofroi ryshfet, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, është Vladimir Cizelj, këshilltar i posaçëm i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.
Ministria e Jashtme e Kosovës, kishte deklaruar po ashtu se Vladimir Cizelj ishte përfshirë në një skandal të njohur në Botsvanë të Afrikës së Jugut, për shitjen e sistemeve të enkriptimit, nëpërmjet marrjes së ryshfetit nga zyrtarë të lartë të qeverisë.
Që nga viti 2017, Serbia ka bërë fushatë për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës.
Ministria e Jashtme e Serbisë thotë se 15 vende e kanë tërhequr njohjen e Kosovës deri më tani.
Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, kishte thënë se qëllimi i tij është të zvogëlojë numrin e vendeve që e njohin Kosovën si shtet të pavarur në 96, numër ky që përbën gjysmën e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe institucione ndërkombëtare.
Kosova tash e pesë vjet është duke aplikuar diplomaci mbrojtëse karshi agresivitetit diplomatik të Serbisë dhe nuk ka arritur që t’i amortizojë efektet e saj, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Aktualisht, në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, figurojnë 116 shtete, të cilat thuhet se kanë njohur Kosovën. Por, autoritetet e Beogradit, pretendojnë se tashmë kanë arritur të sigurojnë tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga 15 shtete.
Ndryshe, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar disa takim me zyrtarë të ndryshëm evropianë dhe amerikanë. Sipas Zyrës së Presidentit, është planifikuar që Thaçi të pritet edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, e po ashtu në kuadër të vizitës në SHBA, presidenti Thaçi do të vizitojë edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët janë duke janë duke ndjekur trajnime në Gardën Kombëtare të shtetit të Ajovas, shtet me të cilën është binjakëzuar Kosova.
Një ditë më parë Thaçi ka pasur një takim me ish- përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini, së bashku me liderë të vendeve të tjera të rajon.
“Në këtë takim u rikonfirmua edhe një herë përkushtimi i shteteve të rajonit për paqe dhe stabilitet, për zhvillimin e integrim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.
Lufta tregtare, migrimi, furnizimi me energji, ndryshimet klimatike dhe zhdukja e varfërisë është thënë se do të jenë temat kyçe në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që ka 193 vende anëtare.
Disa liderë nuk do të jenë pjesë e Asamblesë, sikurse presidenti kinez, Xi Jinping apo Vladimir Putin nga Rusia, njëjtë sikur Benjamin Netanyahu, që po përballet me rezultatet e zgjedhjeve në Izrael.
Aty nuk pritet të shihet as presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, legjitimiteti i të cilit nuk njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe 50 qeveri tjera në botë. /Rel/