Këshilltari i Kryeministrit Haradinaj, i emëruar Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, po merr pjesë në Konferencën Rajonale për Kornizën Institucionale dhe Ligjore në Mbrojtjen e të Drejtave të Personave të Zhdukur dhe Familjeve të Tyre, organizuar nga Komitetit Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Bosnjë.
Pjesë e kësaj konference janë edhe Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, Kryetari i Delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, Ibrahim Makolli, dhe Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara.
Delegacioni i Kosovës, gjatë qëndrimit në Sarajevë, kanë takuar përfaqësuesit e Mekanizmit Ndërkombëtar të Tribunaleve Penale, përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe përfaqësuesit e Institutit për Persona të Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës.
Takimi është realizuar në vazhdën e aktiviteteve dhe intensifikimit të bashkëpunimit me Mekanizmin Ndërkombëtar të Tribunaleve Penale dhe është vazhdimësi e takimit të realizuar në Hagë më 7 nëntor 2018.
Gjatë këtyre takimeve janë diskutuar mundësitë e qasjes në dokumentet e ish-Tribunalit të Hagës për Krimet në ish-Jugosllavi, në të cilat do të mund të gjenden informata që do të kontribuonin në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë./Telegrafi