Koordinatori për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, Jahja Lluka, ka thënë se kërkimet për personat e pagjetur në pesë lokacione nuk kanë dhënë rezultat.
Lluka, në emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se janë gërmuar pesë lokacione për persona të pagjetur.
“Një radar tokësor ka bërë incizime në Kosovë dhe Serbi. Ato rezultate tanimë i kemi dhe ka pasur disa anomali në vende të ndryshme. Ne kemi gërmuar në dy vende në Kishnicë, por mund të them se nuk kemi pasur ndonjë rezultat pozitiv. Radari i tregon vetëm anomalitë e shtresave tokësore, por nuk mund të gjejë ndonjë varrezë masive”.
Koordinatori për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se janë të urdhëruar nga prokurorët për krime të luftës që aty ku ka dyshime të bëhen gërmime.
Ai ka thënë se buxheti nuk ka munguar asnjëherë për kërkime të tilla.
Lluka ka përmendur edhe shumat që Kryeministri ka ndarë për shoqatat e personave të pagjetur.
“Para një muaji janë ndarë nga pesë mijë për 24 shoqatat që merren me personat e zhdukur. Këto mjete janë ndarë për funksionimin e shoqatave, për arsye se kanë qenë në gjendje shumë të vështirë. Me këto mjete ata do të kenë gjërat elementare për ndonjë zyre, telefon apo edhe ndonjë udhëtim, pasi deri më tani kanë funksionuar me mjete vetanake”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Koordinatori për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se Serbia nuk po zbaton marrëveshjet e nënshkruara për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Serbia për çdo njeri tonin të zhdukur e di ku gjendet, sepse ushtria dhe policia asnjë krim nuk e kanë bërë pa planifikuar. Plani ka qenë që të bëhen krimet e më pas të asgjësohen argumenteve”, tha ndër të tjera Jahja Lluka./Telegrafi/