Problemet në Postën e Kosovës kanë lindur si rezultat i mos kryerjes së detyrave nga kjo e fundit dhe pagesës që është dashur të bëjë Qeveria, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka.
Ai më tutje ka shpjeguar se pagesa që do të duhej ta bënte Qeveria kërkon plotësimin e disa kritereve siç është mbajtja e kontabilitetit për shërbimin universal postar, gjë të cilën Posta nuk e ka bërë asnjëherë.
”Rasti që e kemi në postë është se posta e ka shërbimin universal postar ku i dërgon zarfet me një kosto jashtëzakonisht të ulët ku do në secilin vend të Kosovës dhe normalisht jo për atë ka kosto më të madhe se sa që i merr të hyrat dhe në këtë rast që kjo pjesë e shërbimit universal postar të paguhet nga qeveria e Kosovës pjesërisht por këtu janë disa kritere për ta konfirmuar se sa është kostoja e shërbimit universal postar”, tha Lluka, në një intervistë për Ekonomia Online.
“Me ligj obligohet posta që ta ketë një kontabilitet të veçantë për shërbimit universal postar gjë që nuk e kanë bërë. Këto është njëfarë konflikti mes detyrave që posta nuk i ka bërë siç duhet dhe pagesës së qeverisë”.
Ai tha se problemet me pagat në Postë do të ketë derisa të gjendet një zgjidhje afatgjate.
Sipas Llukës, zgjidhja për këtë çështje do të ishte që Posta të gjej mënyrë që të rris të hyrat e saj me kushtin që të mos rriten shpenzimet.
Ai tha se së bashku me ministrin e Financave janë dakorduar që tepricat e buxhetit të këtij viti t`i ndajnë për të paguar humbjet e shërbimit universal postar të vitit të fundit.
“Jemi dakorduar që me tepricat e buxhetit të këtij viti mas muajit tetor do ta bëjmë një zgjidhje të përkohshme. Do t`i ndajmë disa mjete për t`ia paguar postës të paktën ndoshta humbjet e shërbimit universal postar të viti të fundit të vitit 2017 me këtë ne presim që ta bëjmë një zgjidhje të themi për një kohë prapë nuk është zgjidhje afatgjate sepse për zgjidhje afatgjate duhet që posta të gjejë format t’i rrit të hyrat e saj duke mos i rritur shpenzimet”.
Protestë për të kërkuar rritje të rrogave ditë më parë kanë bërë edhe punëtorët e KEDS.
Mirëpo për ministrin Lluka, më e rëndësishme është mos ngritja e tarifave të rrymës elektrike për qytetarët e Kosovës sesa rritja e pagave për punëtorët e KEDS.
Kjo pasi sipas Llukës një rritje eventuale e rrogës së punëtorëve të KEDS do të ndikonte në rritjen e tarifave për qytetarët, raporton EO.
“Rritja e rrogave e pagave duhet të bëhet në formë më graduale jo të menjëhershme sepse nëse bëhet edhe rritja e tarifave apo reflektimi në tarifa kur bëhet gradualisht ndikimi është jashtëzakonisht i vogël dhe ngritja e tarifave mund të jetë e neglizhueshme por nëse bëhet një rritje e menjëhershme atëherë edhe në tarifa hetohet prandaj edhe këtu është problemi dhe konflikti mes qytetarëve ngritja e tarifave, punëtorëve, KEDS për rritje të pagave dhe ZRRE që është në mes pra të dyjave, duhet me gjet një balancë të mirë”, përfundoi Lluka.