Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka njoftuar se operatorët e telefonisë mobile në Kosovë, tashmë kanë filluar me implementimin e marrëveshjes për heqjen e tarifave të roaming-ut.
Lluka përmes një shkrimi të bërë në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se duke filluar nga sot, nga Shqipëria mund të bëhen thirrje në Kosovë me 15 – 16 cent për minutë, dhe pa pa pasur nevojë të aktivizoni ndonjë pako paraprakisht, transmeton Telegrafi.
Duke shtuar se thirrjet para datës 15 qershor kanë kushtuar jo më pak se 2.5 euro për minutë.
Theksojmë se, vitin e kaluar Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rezolutën për heqjen e tarifave të roaming-ut në mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në Samitin e dytë Dixhital përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming, që zbatohet në kuadër të telekomunikimit.
Në muajin prill të 2018 në Samitin e parë Dixhital të mbajtur në Shkup, ishte paralajmëruar ulja e çmimeve të romingut mes vendeve të Ballkanit që ishte kërkesë e Bashkimit Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve./Telegrafi/