Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me homologun e tij kanadez James Carr, sot kanë nënshkruar Marrëveshjen për promovimin e investimeve kanadeze në Kosovë.
Ministri Lluka në fjalën e tij gjatë nënshkrimit potencoi përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së së Kosovës për të krijuar kushte të favorshme për investitorë në veçanti për kompanitë kanadeze.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është lajm i mrekullueshem për ne, kompanitë kanadeze kanë mundësi të jashtëzakonshme të investojnë në Kosove, kjo marrëveshje qartësisht shpreh përkushtimin tonë për të ofruar siguri për investitorët e mbi të gjitha mundësi punësimi dhe rritje ekonomike për vendin. Me këte marrëveshje Kosova do të jetë nyje e investimeve kanadeze në rajon”, ka thënë Lluka, shkruan Telegrafi.
Ndërsa, për ministrin Carr kjo marrëveshje është e një rëndesie të veçante ngase do i mundesojë kompanive kanadeze të investojnë në Kosovë si treg i ri në mes të Evropës.
“Kosova ka shtrirje të mrekullueshme gjeografike dhe fuqi të re punëtore, me nënshkrimin e kësaj marrëveshje ne po ju krijojme kushte kompanive kanadeze të investojnë në Kosovë e poashtu kompanive kosovare të eksportojnë produktet e tyre në tregun kanadez” tha Carr.
Ndryshe, kjo marrëveshje është nënshkruar në dhjetë vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve.