Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, gjatë një takimi sot në Tiranë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ka biseduar mbi hapat e deritashëm në kuadër të projektit të krijimit të tregut të përbashkët të energjisë elektrike mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Lluka vuri theksin tek perspektiva e bursës shqiptare të energjisë dhe përfshirja e Kosovës në të.
“Diskutuam tregun e përbashkët, bursën shqiptare të energjisë, pjesë e të cilës do të jetë edhe Kosova. U angazhuam që grupet të jenë më aktive për intensifikimin e punës mes dy shteteve në drejtim të integrimit të dy tregjeve energjetike. Transmisioni i Kosovës do të jetë pjesë e bursës shqiptare në formë aksionari dhe grupi i punës do ti definojë më tej detajet”, u shpreh Lluka. Bursa Shqiptare e Energjisë do të shërbej në rritjen e qarkullimit, rritjen e konkurrencës, si dhe do të përmbushë një nga kriteret që dalin nga masat e buta në kuadër të procesit të integrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana e tij, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri theksoi pas takimit se u diskutua vazhdimi i procesit të krijimit të Bursës energjetike në Shqipëri dhe problemi i vënies në funksionim të linjës së interkoneksionit Shqipëri-Kosovë.
“Shqipëria do të luajë rolin e mbështetësit për këtë projekt, do të lobojmë fort të dy vendet që në çdo forum ku të jemi tua vëmë në dukje partnerëve evropianë se vënia në punë e kësaj linje është alfa dhe omega e çdo gjëje për integrimin energjetik të dy vendeve. Do të bëjmë gjithçka që kjo çështje të ngrihet në nivelet më të larta”, tha ministri Gjiknuri.
Dy ministrat u angazhuan për harmonizimin e mëtejshëm të veprimeve për vendosjen në funksionim të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes dy vendeve. Gjatë takimit, delegacionet e të dyja vendeve u pajtuan që të riorganizohen Grupet Punuese për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë, caktimin e koordinatorëve në nivel politik që të nxisin procesin dhe përcaktimin e hapave ligjore për krijimin e Tregut të përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri.