Telegrafi

Lluka: Ftojmë ata që vizitojnë parkun në Bllacë të mbjellin drunj, si respekt ndaj momenteve të vështira të gjatë luftës

Rreth dy muaj pas themelimit të  parkut “Hasan Prishtinë” në Bllacë, në brezin ndërkufitar në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, aty ku para 22 viteve kishte ndodhur dëbimi masiv i mbi 400 mijë kosovarëve si pasojë e veprimeve gjenocidale të forcave pushtuese serbe, po kërkohet të mbillen drunj dekorativ, nga vizitorët.

Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve, Jahja Lluka, ka thënë se ky aktivitet do të bënte “të mundur respektimin e të gjithë momenteve të vështira të kaluara gjatë kohë së luftës”.

“Ftojmë të gjithë ata që kanë kaluar në Bllacë dhe po e vizitojnë këtë qendër ta begatojmë parkun me një kontribut modest me mbjelljen e nga një druri dekorativ”, tha Lluka për Telegrafin.

Në prill të këtij viti u inauguruan Muri i Kujtesës (vepër autoriale e piktorëve Festim Kabashi dhe Luan Tashi), dhe parku “Hasan Prishtina” në kuadër të Qendrës Përkujtimore “Bllaca ‘99”.

Lexo po ashtu Në Bllacë u inauguruan “Muri i Kujtesës” dhe parku “Hasan Prishtina”

Jahja Lluka, kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur, njëri prej organizatorëve të kësaj ngjarjeje, tha se para 22 viteve Millosheviqi me bandën e tij u përpoq të pastrojë Kosovën nga shqiptarët, por ishte UÇK-ja e ndihmuar nga NATO që pengun këtë plan fashist.

Ai shtoi se kriza humanitare që u shkaktua në Kosovë ndikoi që bashkësia ndërkombëtare të intervenojë në krye me NATO-n, duke shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja.

Sipas tij, “dëbimi i mbi 440 mijë shqiptarëve në drejtim të Maqedonisë, kishte ndikuar që në “Bllacë të ngrihen kampe të përkohshme për shpëtim, kurse vuajtjet e shqiptarëve të dëbuar më së miri janë shprehur në mozaikun që sot po promovojmë, ku në qendër të tij ndodhet nëna shqiptare, simboli i përtëritjes së popullit shqiptar, e cila me qumështin e saj mbajti gjallë atë”, tha Lluka. /Telegrafi/