Site icon Telegrafi

Lluka dhe Caelenberg pajtohen për forcimin e dialogut social

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Evropiane të të Punësuarve në Shërbimet Publike (Eurofedop), Bert Van Caelenberg, i cili shoqërohej edhe nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.

Ministri Lluka ka njoftuar Sekretarin e Eurofedop me zhvillimet e përgjithshme në sektorin publik, me theks të veçantë në Telekomin e Kosovës dhe rëndësinë që ka dialogu social në trajtimin e të gjitha çështjeve, posaçërisht ato që janë me interes për punëtorët.

Kreu i MZHE-së e vlerësoi gjendjen në Telekomin e Kosovës si të paqëndrueshme, mirëpo MZHE së bashku me tërë Qeverinë e Kosovës janë në vazhdën e zbatimit të zgjidhjeve për tejkalimin e kësaj situate. Prandaj, edhe me këtë rast është e nevojshme mbështetja e sindikatës dhe e tërë punëtorëve, meqenëse zgjidhjet e ofruara janë edhe me interes për punëtorët.

Ministri potencoi që ka pasur takime të vazhdueshme me sindikatën dhe shprehu gatishmërinë e plotë të MZHE-së dhe të Qeverisë për të bashkëpunuar dhe për të mbështetur dialogun social si e mekanizmin më efikas për tejkalimin e të gjitha çështjeve me interes të përgjithshëm.

Edhe Sekretari i Eurofedop, Bert Van Caelenberg potencoi se situata në Telekomin e Kosovës është mjaft e vështirë, duke kërkuar që institucionet të gjejnë një zgjidhje të favorshme për të gjithë dhe të gjitha këto çështje të orientohen përmes dialogut social. /Telegrafi/

Exit mobile version