Telegrafi

Lloris flet para finales me Argjentinën: Nuk e prisnim një goditje si kjo e virusit, por jemi të përqendruar për ta fituar ndeshjen

Franca dhe Argjentina do të diskutojnë finalen e madhe të Kampionatit Botëror të dielën pasdite.

Si francezët ashtu edhe argjentinasit kërkojnë për herë të tretë triumfin në Kupën e Botës, pasi tanimë kanë nga dy trofe të fituara.

‘Gjelat’ janë goditur nga një virus dhe ende është në pikëpyetje paraqitja e disa prej titullarëve si ajo e Raphael Varane apo Ibrahima Konate.

Kapiteni i Francës, Hugo Lloris ka folur për këtë situatë të virusit, derisa ka thënë se përkundër që virusi ekziston në kampin francez ata janë të përqendruar.

“Nuk e prisnim këtë situatën me virus, nuk kemi qenë të përgatitur për diçka të tillë. por, ne do të mundohemi të luajmë në mënyrën tonë më të mirë”.

“Virusi është real, por kjo nuk largon aspak përqendrimin tonë nga objektivi apo entuziazmi që kemi për finalen”, tha Lloris.

Tutje portieri francez tha se ishin të paktë ata që i besuan, por ata duan ta mbyllin Botërorin me fitore.

“E dimë që kemi mbështetjen e të gjithë kombit, e nisëm këtë Botëror me një mision dhe duam t’i shkojmë deri në fund. Ishin të pakta ata që na besuan, megjithatë tani kemi edhe një ndeshje të fundit”, u shpreh Lloris. /Telegrafi/