Site icon Telegrafi

Llapi triumfon ndaj FC Kosova Dusseldorf dhe fiton Superkupën Kosovë-Diasporë

Skuadra fituese e Kupës së Kosovës, Llapi, e ka pasuruar vitrinën e klubit me një tjetër trofe. Llapjanët kanë triumfuar në ndeshjen e Superkupës Kosovë-Diasporë, duke e mundur skuadrën fituese të Kupës së Diasporës, FC Kosova Dusseldorf, me rezultat 2-0.

Kjo ndeshje tradicionale zhvillohet nën organizimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Futbollit Shqiptar në Gjermani, me qëllim të respektimit dhe afirmimit të klubeve shqiptare që funksionojnë në Diasporë, por njëherësh edhe si shenjë mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm që bashkëatdhetarët tanë kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për vendin tonë.

Ndeshja e zhvilluar në fushën me bari sintetik në Ferizaj u ndoq nga një numër i konsiderueshëm i shikuesve, teksa prodhoi lojë interesante, ku ashtu siç pritej u dominua nga skuadra e Llapit. Rezultati u zhbllokua në minutën e tetë, me golin e Drilon Fazliut pas harkimit të Benjamin Eminit.

(Foto: ffk-kosova.com)

Në pjesën e dytë trajneri llapjan Tahir Batatina bëri ndryshime të shumta në skuadër dhe si rrjedhojë loja ishte më e baraspeshuar. Madje, futbollistët e skuadrës shqiptare nga Dusseldorfi në minutat e fundit kishin dy raste shumë të mira për të barazuar shifrat, por portieri llapjan Ilir Avdyli ishte në nivel të detyrës.

Ndërkaq, në minutat shtesë rezultatin përfundimtar e vendosi kapiteni Benjamin Emini, me golin e shënuar nga penalltia.

(Foto: ffk-kosova.com)

Këtë ndeshje nga afër e ndoqi edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili në fund ia ndau trofeun kapitenit të llapjanëve, teksa medaljet për të dy skuadrat i ndanë edhe sekretari i përgjithshëm i FFSHGJ-së, Miftar Dragidella dhe kryetari i FC Ferizaj, Lulzim Abazi. Pas ndeshjes, FFK shtroi edhe drekë për të dyja skuadrat dhe zyrtarët e ndeshjes.

(Foto: ffk-kosova.com)
Exit mobile version