Telegrafi

Llapi shkatërron Ballkanin në Suharekë

Llapi ka fituar me rezultat të thellë 4-1 në udhëtim te Ballkani në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ekipi i Tahir Batatinës ka arritur të kthehet të fitorja, pikërisht në një ndeshje të vështirë, sikurse kjo në udhëtim te kampioni aktual.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të hapur nga të dyja skuadrat, por me Llapin skuadër më të mirë, duke shënuar edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm shtatë minutave lojë me anë të Fernandinhos, i cili shënoi për 0-1, ndërsa Francisco Rivera (36’) u përkujdes për epërsinë 0-2.

Në pjesën e dytë, Ballkani tentoi të krijonte më shumë në kërkim të rikthimit të rezultatit, por përsëri Llapi u tregua më konkret duke shënuar edhe dy gola tjerë për një fitore të thellë, ndërsa vendasit vetëm një në fund të ndeshjes.

Goli i parë në këtë pjesë u shënua përsëri nga Rivera (77’) për 0-3, ndërsa Gerhard Porgni (90′) me një gol të bukur nga gjuajtja e lirë dërgoi rezultatin në 0-4.

Në minutat shtesë ishte Lumbardh Dellova, i cili gjithashtu me një gol të bukur vulosi rezultatin përfundimtar 1-4.

Pas kësaj fitore, Llapi ngjitet në pozitën e pestë me 19 pikë, ndërsa Ballkani mbetet i dyti me 27 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Ballkani luan në shtëpi ndaj Ferizajt, teksa Llapi e pret Gjilanin. /Telegrafi/