Llapi ka fituar me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Ulpianës në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në BKT Superligën e Kosovës.
Ekipi i Tahir Batatinës e ka nis mbarë sezonin pranveror dhe rikthimin në “Zahir Pajazitin” e rinovuar, pasi ka fituar pa vështirësi ndaj Ulpianës.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët krijuan më shumë se mysafirët.
Megjithatë, portat mbeten të paprekura dhe ekipet u desh të shkojnë në pushim me rezultat të bardhë 0-0.
Në pjesën e dytë, Llapi i Batatinës hyri fuqishëm duke krijuar më shumë sesa në pjesën e parë dhe duke shënuar dy gola për të siguruar fitoren e parë në pranverë.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 55-të dhe ishte Alban Shillova, i cili shënoi me kokë për 1-0 pas asistimit të Kastriot Selmanit.
Vendasit arritën ta gjejnë golin edhe në minutën e 66-të, ku pas një topi të harkuar në zonë nga Valmir Veliu, ishte mbrojtësi Qlirim Avdulli që shënoi autgol për epërsinë e Llapit 2-0 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.
Pas kësaj fitore, llapjanët e shohin veten në pozitën e katërt me 32 pikë, ndërsa lipjanasit renditen në vendin e nëntë me 18 pikë.
Në ndeshjen e radhës, Llapi udhëton te Drita, ndërsa Ulpiana e pret në shtëpi Malishevën. /Telegrafi/