Telegrafi

Llapi me reagim zyrtar pas humbjes ndaj Prishtinës, ankesa dhe kërcënime ndaj gjyqtarit Genc Nuza

KF Llapi ka pësuar humbje me rezultat 3-2 ndaj Prishtinës në derbin e xhiros së katërt në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Në një ndeshje që epërsia kalonte sa në njërën anë tek tjetra, triumfues në fund doli Prishtina që arriti të fitojë pikët e plota me golin vendimtar të shënuar nga Marc Olivier.

Kishte shumë polemika për ndarjen e drejtësisë nga gjyqtari Genc Nuza, i cili pas përfundimit të ndeshjes e ndëshkoi me karton të kuq trajnerin llapjan Tahir Batatina për protesta.

Pas përfundimit të ndeshjes, kryesia e Llapit ka dalur me një reagim zyrtar, aty ku sipas tyre është thënë se Genc Nuza nuk i duhet futbollit kosovar.

Tutje në reagim ata kanë thënë se nuk do t’i ofrojnë siguri gjyqtarit Nuza në rast se ai dhe stafi i tij delegohen për ndeshjet e ardhshme në Podujevë si dhe kanë kërkuar që ai të mos ndajë më drejtësinë në ndeshjet e tyre.

Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Llapin pas asaj që e pësuan ndaj Malishevës në shtëpi, ndërsa momentalisht mbajnë pozitën e shtatë në tabelën e klasifikimit me katër pikë të grumbulluara./Telegrafi/