Telegrafi

Llapi nuk merr pikë edhe pas gabimit trashanik të Koliçit, Ballkani fiton dhe merr pozitën e parë

Ballkani ka shënuar fitore ndaj Llapit me rezultat 2-1 në kuadër të javës së shtatë të Superligës së Kosovës.

Skuadrat e nisën shumë mirë ndeshjen, duke krijuar raste dhe duke prodhuar futboll të bukur me një tempo të lartë.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 37-të, kur Nazmi Gripshi shënoi një gol të bukur për 1-0.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa me të filluar e dyta kampioni në fuqi gjeti sërish golin.

Ishte Armir Kryeziu që shënoi për 2-0 në minutën e 47-të të ndeshjes.

Llapi arriti të hap ndeshjen në minutën e 75-të, kur Elvir Gashjani vodhi një top nga Enea Koliçi i cili driblonte me të sulmuesit llapjanas, për të shënuar për 2-1.

Skuadra e Tahir Batatinës tentoi deri në fund të barazonte rezultatin, por nuk ia arriti.

Ballkani rrëmbeu pozitën e parë, pasi tani kanë 19 pikë, ndërsa Llapi mbetet i dyti me 16 pikë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore