Llapi nuk ka arritur ta regjistrojë fitoren e parë sezonale (2-2), edhe pse ishte në epërsi prej dy golash ndaj Besës në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Tahir Vokshi” në Brestovik të Pejës, të vlefshme për xhiron e shtatë të Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra mysafire e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë duke ndërtuar aksione dhe shumë shpejt arriti ta zhbllokonte rezultatin.
Zhvillohej minuta e 20-të e takimit, kur Engjëll Hoti shënoi për t’ua dhënë epërsinë vizitorëve.
Pas gjysmë ore lojë, skuadra nga Podujeva realizoi sërish. Arbnor Ramadani përfitoi nga ndërprerja dhe e dyfishoi rezultatin.
Gjysma e parë përfundoi me epërsi të dyfishtë të Llapit, mirëpo vendasit ia dolën ta ngushtonin rezultatin në fraksionin e dytë.
Porsa hyri në lojë, Festim Haxhiu realizoi gol me kokë për t’i kthyer vendasit në lojë. Në minutat shtesë (90’+7), nikoqirët shënuan sërish për ta barazuar rezultatin.
Barazimi i lë këto dy skuadra në pozitat e njëjta, Besa e parafundit (me katër pikë) dhe Llapi në vend të fundit (me dy pikë). /Telegrafi/