Llapi dhe Ballkani kanë ndarë pikët në stadiumin Zahir Pajaziti pasi kanë luajtur baras 1-1.
Ballkani e nisi më mirë ndeshjen dhe vetëm pas pesë minutash lojë arriti të kalonte në epërsi.
Jetmir Topalli u gjend mjaftë mirë në zonë dhe me një gjuajtje të fortë mposhti portierin vendas Haxho për 0-1.
Ballkani pati edhe dy raste të mira, me Manevskin dhe Edvin Kuc që provuan por pa sukses.
Në minutën e 34-të të ndeshjes Valmir Veliu i vendasve pati rast të artë shënimi por dështoi ta dërgonte topin në rrjetë përballë portierit Ruxhi.
Me epërsinë minimale të mysafirëve 0-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Llapi e nisi pjesën e dytë duke sulmuar vazhdimisht portën e mysafirëve.
Ahmed Januzi pati dy raste të mira shënimi në minutat 50 e 64 por që nuk ia doli ta dërgonte topin në rrjetë.
E në minutën e 80-të vendasit fituan një penallti pasi Visar Berisha i mysafirëve luajti me dorë në zonë.
I saktë nga pika e bardhë ishte Mentor Zhdrella që barazoi rezultatin në 1-1.
Llapi tentoi deri në fund të shënonte golin e fitores por një gjë të tillë nuk ia arriti.
Kësisoj llapjanët pas këtij barazimi zënë pozitën e dytë në tabelë me 48 pikë, katër më pak se Feronikeli që ka një takim më pak të zhvilluar.
Ndërkohë Ballkani aktualisht zë pozitën e gjashtë në tabelë me 29 pikë. /Telegrafi/