Site icon Telegrafi

Llapi mposht KEK-un, i afrohet në dy pikë liderit

(Foto: Facebook/K.F. Llapi)

Skuadra e KEK-ut ka qenë nikoqire e LLapit në ndeshjen e javës së 26-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll që u zhvillua në stadiumin “Agron Rama”, ku triumfoi skuadra vizitore (0-1).

Mysafirët i patën rastet në minutat e para, përmes Arbnor Ramadanit dhe Egzon Sinanit, ndërsa Torviol Stullqaku rrezikoi për vendasit në fund të fraksionit të parë, i cili u mbyll pa gola.

Vizitorët i vazhduan përpjekjet për të shënuar me të filluar gjysma e dytë e takimit, ndërsa Hamdi Namani nuk u tregua i saktë nga afërsia.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Superliga e Kosovës

Falë përpjekjeve të vazhdueshme për të shënuar, Llapi e zhbllokoi rezultatin në minutën e 73-të me autogolin e Leonat Vitisë, i cili gaboi pas harkimit nga Valmir Veliu.

Ekipi mysafir vazhdoi të luante më mirë deri në fund ta takimit, mirëpo nuk u shënuan gola të tjerë dhe u mjaftua me epërsinë minimale për të arkëtuar pikë të plot.

Me këtë fitore, Llapi pozicionohet në vend të dytë me një pikë më shumë se Prishtina (që këtë javë luan kundër Ferizajt). Lideri Feronikeli është vetëm dy pikë larg (që po ashtu nuk e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj jave, kundër Lirisë).

KEK-u mbetet në fund të tabelës me vetme një pikë të arkëtuar në 26 javë të zhvilluara dhe pritet të largohet nga elita e futbollit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version