Telegrafi

Llapi merr një fitore të madhe në udhëtim te Ferizaj

Llapi ka fituar me vështirësi dhe rezultat minimal 1-0 në udhëtimin e tyre te Ferizaj në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të mysafirëve nga Podujeva, të cilët krijuan shumë raste.

Rasti i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm dy minutave lojë, ku Alban Rexhepi vodhi një top në mesin e fushës, por pas depërtimit të mirë goditja e tij përfundoi jashtë.

Llapi provoi edhe me Festim Alidemën (25′), Rexhepin (33′) dhe Mentor Zhdrellën (38′), por përsëri ishin të pafat dhe shkuan në pushim me shifra të pandryshuara.

Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të Llapit, të cilët vazhduan sulmet dhe rastet në drejtim të Ferizajt, teksa gjetën edhe golin.

Alidema (47′) rrezikoi i pari, por goditja e tij u prit nga portieri Armend Blakqori, teksa Ferizaj tentoi me Dren Gashin (55′), por edhe goditja e tij u prit nga Afrim Ademi.

Goli i vetëm në këtë ndeshje erdhi në minutën e 82-të të ndeshjes, ku zëvendësuesi Shend Kelmendi u gjend mirë në zonë dhe realizoi me lehtësi për 0-1 duke vulosur fitoren shumë të madhe të Llapi.

Pas kësaj fitore, Llapi ka 26 pikë në vendin e tretë apo gjashtë më pak se lideri Feronikeli, ndërsa Ferizaj mbetet në pozitën e parafundit me 11 pikë. /Telegrafi/