Llapi ka arritur t’i hakmerret Lirisë për dy humbjet e pësuara në këtë edicion, duke triumfuar në Prizren me rezultat 1-2.
Ndeshja nisi e ekuibluar nga të dyja skuadrat që luanin më shumë në mesin e fushës.
Llapi rrezikoi me Benjamin Eminin në minutën e 14’ por që goditja e tij nuk ishte e saktë.
Artur Magani i vendasve u kundërpërgjigj por që Arben Beqiri i mysafirëve priti goditjen e tij.
Kapiteni i Lirisë, Meriton Korenica pati një rast ideal në minutën e 42’ por në fund u pengua nga Sinani i vendasve, derisa Genc Nuza heshti dhe nuk dha penallti.
Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Llapi e nisi më mirë pjesën e dytë ku fillimisht dështoi nga afërsia Mentor Zhdrella.
Në minutën e 63’, Mirlind Daku nxori një penallti të cilën e konkretizoi vetë nga 11 metra.
Llapi gjeti golin e dytë tetë minuta më vonë, kur Mentor Zhdrella realizoi një super gol nga distanca.
Liria e ngushtoi rezultatin në 1-2 në minutën e 77-të falë një goli të bukur me kokë nga Mevlan Zeka.
Në minutën e 80-të, gjyqtari anësorë Driton Preniqi u godit nga një shishe e hedhur në fushë nga tifozët vendas por që loja vazhdoi pas dy minutave.
Krejt në fund të ndeshjes, Llapi mbeti me një lojtar më pak pasi Benjamin Emini u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.
Por Llapi mbeti me nëntë futbollistë në minutat shtesë pasi me karton të kuq u ndëshkua edhe Egzon Shabani.
Por edhe në mungesë të dy futbollistëve mysafir, rezultati mbeti i pandryshuar 1-2 në të mirë të mysafirëve.
Llapi pas kësaj fitore ngjitet në pozitën e tretë në tabelë me 45 pikë të tubuara, ndërsa Liria zë një vend më poshtë me dy pikë më pak se llapjanët.
Liria do ta luaj ndeshjen e ardhshme në udhëtim ku do të përballet me Feronikelin.
Ndërkohë Llapi do të ketë punë të vështirë pasi pret liderin aktual Dritën. /Telegrafi/