Llapi ka arritur të fitojë me vështirësi ndaj Arbërisë me rezultat të ngushtë 4-3 në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të në Superligën e Kosovës.
Ekipi i Tahir Batatinës ka vazhduar me formën e mirë duke arritur fitoren e tretë radhazi në të gjitha garat, fitore e cila e largon nga zona e rrezikshme.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të hapur nga të dyja skuadrat, por me vendasit për një nuancë më të mirë duke shënuar dy gola, kundrejt një të mysafirëve.
Megjithatë, të dy golat e Llapit erdhën falë lojtarit mysafi, pasi Kreshnik Bahtiri (3′, 19’) shënoi dy autogola, ndërsa për Arbërinë shënoi Marcelei (14’).
Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë dhe të dyja skuadrat arritën të shënojnë nga dy gola.
Fillimisht ishin vendasit që shënuan me anë të Muhamet Hysenin (52’) për 3-1, ndërsa Marcelei (59’) shënoi për 3-2.
Llapi u përkujdes në minutën e 86-të të shënojë me anë të Ahmed Januzit për 4-2, ndësa Dior Zabergja (88’) vulosi rezultatin përfundimtar 4-3.
Me këtë fitore, Llapi e sheh veten në pozitën e pestë me 33 pikë, ndërsa Arbëria renditet e teta me 27 pikë.
Në ndeshjen e radhës, llapjanët lujanë në udhëtim te Feronikeli, ndërsa lipjanasit e presin Dritën. /Telegrafi/