Llapi ka arritur të fitojë me rikthim në shtëpi ndaj Trepçës ’89 me rezultat 4-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët arritën të shënojnë dy gola, kundrejt një të mysafirëve.
Megjithatë, ishin mysafirët të parët që arritën të shënojnë në minutën e 17-të me anë të Lasine Traore, i cili shënoi një gol të bukur për 0-1.
Llapi arriti të kthehet në lojë pas vetëm pesë minutave duke shënuar me Ahmed Januzin për 1-1, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë ishte Behar Maliqi që kaloi ekipin e tij në epërsi 2-1.
Në pjesën e dytë, përsëri ishin vendasit të cilët rrezikuan më shumë dhe patën më shumë raste, por golat arritën t’i gjejnë vetëm në minutën e fundit dhe ato shtesë.
Ishte sulmuesi Januzi, i cili shënoi për 3-1 dhe 4-1 duke kompletuar het-trikun dhe duke vulosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Pas kësaj fitore, Llapi e sheh veten në pozitën e tretë me pikë të barabarta me Prishtinën që ka 69 pikë apo dy më pak se Feronikeli i vendin të parë, ndërsa Trepça ’89 renditet në vendin e pestë me 39 pikë.
Në ndeshjen e radhës, llapjanët udhëtojnë për derbin e javës te Prishtina, ndërsa mitrovicasit e presin Ferizajn. /Telegrafi/