Llapi ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Liria me rezultat 2-3 në ndeshjen e vlefshme për javën e gjashtë të Superligës së Kosovës.
Pjesa e parë e ndeshjes foli në të mirë të vendasve, të cilët shënuan për 1-0 pas vetëm 14-të minutave me anë të Liridon Fetahajt.
Llapi arriti të kthehet në lojë në minutën e 20-të duke barazuar 1-1 me anë të Festim Alidemajt.
Megjithatë, Liria në minutën 40-të gjeti edhe golin e dytë pasi goditja e Fatih Karahodës u devijua nga Egzon Sinani dhe skuadrat shkuan në pushim e epërsinë 2-1 të vendasve.
Në pjesën e dytë, Llapi tregoi krejt tjetër fytyrë duke u treguar më konkret dhe duke kthyer gjithë rezultatin.
Ishte sulmuesi i ri Alidema, i cili shënoi dy gola të shpejt, ku i pari erdhi në minutën e 62-të për 2-2, ndërsa në të 70-tën shënoi për 2-3.
Në vazhdim edhe përkundër rasteve tjera, gola nuk pati dhe Llapi mori një fitore të madhe në udhëtim.
Pas kësaj fitore, Llapi ngjitet në pozitën e dytë me 13 pikë apo një pikë më pak se lideri Feronikeli, ndërsa Liria ka gjashtë pikë në vendin e nëntë.
Në ndeshjen e radhës, Llapi e pret në shtëpi KEK-un, ndërsa Liria udhëton te Feronikeli. /Telegrafi/