Llapi ka fituar me rikthim dhe rezultat të thellë 4-1 në shtëpi ndaj Ballkanit në ndeshjen derbi të vlefshme për javën e 14-të në BKT Superligën e Kosovës.
Ekipi i Tahir Batatinës ka vazhduar formën e mirë duke marrë edhe fitoren e tretë radhazi në kampionat apo të pestën nga gjashtë ndeshjet e fundit.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, nga të dyja skuadrat, të cilat patën rastet e veta për gol.
Megjithatë, edhe përkundër rasteve, shifrat mbeten të paprekura dhe skuadrat shkuan në pushim pa gola 0-0.
Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e hapur dhe u shënuan katër gola, ku fillimisht shënuan mysafirët dhe pastaj vendasit u rikthyen me katër gola të shënuara.
Goli i parë i ndeshjes erdhi pas 60-të minutave lojë me Nazmi Gripshin, i cili shënoi nga goditja e lirë për 0-1.
Llapi arriti të kthehet në lojë në minutën e 71-të me zëvendësuesin Alef Firmino, i cili fillimisht shënoi për barazimin 1-1 pastaj në minutën e 74-të për epërsinë e Llapit 2-1.
Këto dy gola i dhanë edhe më shumë zemer vendasve, të cilët nuk i ndalen sulmet dhe në minutën e 77-të shënuan përsëri me Edon Sadriun për 3-1, ndërsa Kushtrim Shabani (86’) me një gol të bukur vulosi fitoren me rezultat përfundimtar 4-1.
Pas kësaj fitore, Llapi ngjitet në pozitën e katërt me 21 pikë, ndërsa Ballkani renditet i treti me 24 pikë.
Në ndeshjen e radhës, llapjanët luajnë në udhëtim te Drenica, ndërsa therandasit e presin Malishevën. /Telegrafi/